Dy europarlamentarët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein janë kundër blerjes së votave kur vjen puna për miratimin e reformës në drejtësi, e cila kërkon një shumicë kushtetuese prej 94 votash për të kaluar. Flekcenstein e Kukan vlerësojnë se palët do duhet të lëvizim për të gjetur një konsensus mes tyre dhe kurrsesi të kalojnë një reformë përmes blerjes së votave.
“Miratimi i reformës në drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si cështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shpreh Fleckenstein.
“Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është reforma në drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjeshtë e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë liderët politike të flasin dhe të gjejnë rrugët për të arritur një marrëveshje. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qendrueshëm të një vendi”, u shpreh Kukan./java/a.k