Shqiptarët do të ngulen para ekranit sot në orën 18:00, me shpresën se Hungaria do të bëjë mrekullinë e madhe, duke fituar kundër Portugalisë. Por përveç “armiqve” portugezë, në ekran do t’u shfaqet edhe një fytyrë aspak e pëlqyer gjatë dy viteve të fundit. Takimi i rëndësishëm do të drejtohet nga gjyqtari anglez Martin Atkinson. Është gjyqtari i famshëm i takimit të 14 tetorit 2014 në Beograd, midis Serbisë e Shqipërisë, ndërprerë në minutën e 41-të pas sherrit masiv që pasoi futjen e banderolës po aq të famshme tani, Autochtonous.
Sigurisht që shqiptarët e kanë parë shumë herë gjyqtarin anglez që atëherë, në kompeticionet ndërkombëtare dhe në Angli, por tani duket më “i prekshëm”, pasi luan në një ndeshje që na lidh direkt.
Atkinson ishte ai që shkroi në raport për refuzimin e kuqezinjve për të vazhduar ndeshjen mes ferrit të Beogradit, por pranoi në Komisionin e Apelit në UEFA dhe në CAS se nuk kishte dhënë urdhër zyrtarisht për ridaljen e skuadrës në fushë dhe se nuk kishte informacion nga oficeri i sigurisë se çfarë po ndodhte ndërkohë në tribunat e stadiumit “Partizan” në Beograd.
Pa dyshim që Atkinson cilësohet si një nga gjyqtarët më të mirë të Anglisë e të UEFA-s, por sot do të jetë nën “lupën” e shqiptarëve, pasi edhe këtë herë mund të ndikojë direkt në fatin e kuqezinjve Shqipërisë, siç ndodhi mbrëmë me gjyqtarin e takimit Çeki-Turqi, që lejoi një gol të parregullt për turqit.
Për sa i përket dy skuadrave, Hungaria kërkon vendin e parë në grupe, ndërsa Portugalia kualifikimin.
Ato pritet të luajnë me këto formacione:
Hungaeria: Kiraly; Lang, Guzmics, Juhasz, Kadar; Gera, Nagy; Dzsudzsak, Kleinheisler, Stieber; Szalai. Trajner: Storck.
Portugalia: Rui Patricio; Vieirinha, Pepe, R. Carvalho, Guerreiro; W. Carvalho; Joao Mario, Joao Moutinho, Andre Gomes; Nani, Cristiano Ronaldo. Trajner: Santos.
D.I.