Dallgët nxorën trupin e një gruaje në bregun e Durrësit, ndërkohë që ka nisur hetimi, duke mos përjashtuar as pistën e vrasjes së saj. Trupi i gruas, rreth 40 vjeçe, është gjetur në breg në plazhin e Durrësit, në drejtim me Pistën e Vogël, rreth orës 17:15 të pasdites së djeshme.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia lokale, shtetasja e gjetur, e cila nuk është identifikuar ende, mendohet të jetë rreth 40 vjeçe, rreth 1. 60 m e gjatë, me flokë të zeza të gjata rreth 20 cm dhe ezmere në fytyrë.
Ajo ka të veshura një palë pantallona xhins, ngjyrë blu të errët, bluzë me mëngë të shkurtra, ngjyrë të kuqe, në dorën e majtë ka një orë dore me zinxhir metalik dhe në gishtin e parafundit ka një unazë me një gurë rozë.
Policia e Durrësit ka verifikuar listën e saj të personave që rezultojnë të zhdukur, ndërsa ka kërkuar nëpër drejtoritë e rretheve të kryejnë të njëjtën procedurë, me qëllim identifikimin e kufomës së gjetur pasditen e djeshme në Durrës.
Policia e Durrësit, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për rastin në fjalë, ku paraprakisht po hetohet në të gjitha pistat, mes tyre edhe mbytje me qëllim nga persona të tjerë.
Nuk dihet nëse gruaja është shtetase shqiptare, apo e huaj, por dyshohet ta kenë sjell drejt bregut dallgët e detit.
“Kufoma rezulton ende e paidentifikuar. Nuk e dimë është shtetase shqiptare, apo e huaj. Nga këqyrja e kufomës nuk janë gjetur shenja dhune, por ne po hetojmë në të gjitha pistat, pa përjashtuar vrasjen (mbytje e qëllimtë), sepse është gjetur e veshur me rroba. Gruaja mund të jetë mbytur nga persona të tjerë. Ajo mund të jetë hedhur nga ndonjë anije, ose përgjatë bregdetit të Durrësit, e më gjerë. Po përpiqemi me të gjitha mënyrat për të identifikuar kufomën, pasi do të na ndihmonte në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thanë burime nga Policia.
Dy djemtë e rinj, të cilët po laheshin disa metra larg bregut të detit, e kishin konstatuar kufomën. Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën se nuk përjashtohet mundësia edhe e një vrasjeje, pavarësisht se kufoma nuk ka pasur shenja dhune. Hetuesit shprehen se atë edhe mund ta kenë mbytur.
Një grup hetimor është ngritur për identifikimin e saj dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që drejtoria lokale e policisë ka ftuar personat që mund ta identifikojnë që të telefonojnë në numrin 129, pa pagesë./Panorama/a.m.