Reforma në drejtësi pritet të votohet në gjysmën e parë të korrikut. Të paktën ky është parashikimi aktual i mazhorancës. Për këtë arsye, Partia Socialiste ka njoftuar deputetët e saj të mos largohet jashtë vendit pas datës 5 korrik deri në votimin e reformës në drejtësi.
Kjo porosi ju është shpërndarë të gjithë ligjvënësve të kësaj partie, raporton Shqiptarja.com, duke iu kërkuar të jenë në gatishmëri pasi dita e votimit mund të jetë kurdo mes këtyre datave dhe çdo votë është e vlefshme dhe e domosdoshme.
Në kushtet kur 33 deputetë të mazhorancës firmosën që drafti kushtetues i dalë nga komisioni i posaçëm parlamentar, të depozitohet në Kuvend, Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet ditën e enjte për të vendosur se në cilën ditë do të hyjë në kalendarin e punimeve dhe votimit në seancë plenare.
Këtë procedurë, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ua ka shpjeguar dhe deputetëve socialistë.