Një vrasës shqiptar i dënuar me 15 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, ka mundur të shkojë sërish në Britani edhe pse 5 vjet më parë ishte ekstraduar nga ai shtet për t’iu dorëzuar drejtësisë shqiptare.
Ardian Rragami, 45 vjeçar, kishte shkuar në Britani në vitin 1998 si refugjat kosovarë duke kërkuar azil politik. Ai la Shqipërinë pas vrasjes me breshëri plumbash të bashkëkombësit të tij Qemal Kola pas një sherri në një lokal në Shkodër në vitin 1998, ku u dënua me 15 vjet heqje lirie.
Në vitin 2009 Interpoli zbuloi se Rragami ishte duke punuar në ndërtim në Essex, dhe në vitin 2010 u ekstradua në Shqipëri për të kryer dënimin që i ishte dhënë me vendim gjykate. Por pasi apeloi vendimin, ai mundi t’i ribashkohet gruas së tij dhe dy fëmijëve në Hertfordshire në vitin 2014, shkruajnë mediat britanike.
Zyra e emigracionit tha për Daily Mail se po tenton ta largojë Rragamin nga Anglia, për shkak të dënimeve që rëndojnë mbi të. Ai aktualisht është ndaluar nga oficerët e Emigracionit dhe po bëhen të gjitha procedurat për ta larguar nga Britania drejt Shqipërisë.
Kjo ngjarje po bën bujë në Angli pasi pak javë më parë u zbulua historia e një tjetër vrasësi shqiptar që gjithashtu refuzon të depërtohet drejt vendit tonë. Avni Metra, vrasës i dyfishtë dhe i dënuar për përdhunim, ka bërë thirrje që të zbatohen të drejtat e njeriut në mënyrë që të mos ekstradohet nga Britania e Madhe. Në Shqipëri ai kërkohet për dy vrasje dhe posedim të armëve të zjarrit, ngjarje që datojnë në vitin 1996. Avokati i tij Helen Dawson i tha gjykatës se do të luftojë në këtë çështje bazuar në të drejtat e njeriut, duke argumentuar se ai ka frikë nga persekutimi dhe se tashmë është një njeri familjar i cili ka ndërtuar jetën në Angli për 18 vitet e fundit dhe ka një raport të ngushtë dhe detyrime për katër fëmijët e tij.
Mediat britanike po e ndjekin rastin e tij, pasi vlerësojnë se Anglia është kthyer në strehën e vrasësve shqiptarë./Express/a.m.