Elseid Hysaj është pasardhësi ideal për Dani Alves. Mbrojtësi i Shqipërisë duket se ka bindur përfundimisht drejtuesit e Barcelonës për kualitetin e tij.
Gazeta katalane “Sport” vlerësoi paraqitjet e nivelit të lartë të shkodranit në Kampionatin Europian, me krerët e kampionëve të Spanjës që po studiojnë seriozisht mundësinë e afrimit të kuqeziut.
Madje, sipas mediave iberike, Barcelona është e gatshme të paraqesë menjëherë një ofertë te Napoli, për të mposhtur konkurrencën e klubeve të tjera të interesuara.
Lojtari pëlqehet edhe nga Atletico e Madridit, me “colchoneros” që janë gjithmonë në kërkim të lojtarëve të rinj dhe të perspektivës, për ti shndërruar në yje të futbollit botëror.
Gjatë javëve të kaluara, interes për Hysajn kanë shfaqur edhe Arsenali nga Premier League angleze dhe kampionët e Gjermanisë të Bayern Munchen.
Me paraqitjet në Euro 2016, Hysaj duket se i ka bindur përfundimisht klubet e mëdha kontinentale, ku nuk përjashtohet nisja e një ankandi të mirëfilltë.