Nga ëndrra për një jetë krah njeriut të zemrës, e gjendur mes katër rrugëve. Ky është fati që e ndoqi një minorene 17-vjeçare nga qyteti i Durrësit e cila përfundoi e trafikuar në shtetin grek. E reja u largua me të dashurin, por shumë shpejt kuptoi se qëllimet e tij të vërteta nuk kishin të bënin me bisedat që ata kishin pasur në të shkuarën, kur bënin planin për t’u larguar jashtë vendit.
Vajza nga Durrësi, u largua nga banesa e saj me dëshirë, pas u dhënë asnjë lajmërim prindërve se po largohej, por disa ditë më pas e gjen veten në një situatë që ajo kurrë nuk e kishte menduar. Personi që ishte njeriu i saj i dashur, pasi u larguan drejt Greqisë i kërkonte që ajo të ushtronte prostitucion.
Vajza e tronditur nuk pranoi dhe sipas raportimeve është dhunuar. Nuk dihet se si ajo mundi të shkëputet nga ai person dhe është paraqitur në policinë e Durrësit, ku dhe është rrëfyer për atë që i ka ndodhur.
HETIMET
Minorenia deklaroi se ishte larguar me dëshirën e vet nga banesa pasi nuk i kishte marrëdhënie të mira me familjarët. Në dëshmi ajo nuk dha sqarime se ku kishte shkuar ditët që ishte zhdukur, por nuk pranoi të ishte larguar me të dashurin. Sipas minorenes, ajo kishte tentuar vet të shkonte në Greqi, dhe sipas dëshmisë, një person i panjohur e kishte trafikuar atë duke e mashtruar se do ta ndihmonte.
E gjithë dëshmia e vajzës ishte e dyshimtë për policinë, pasi minorenia nuk jep asnjë të dhënë për personin në fjalë, dhe historia e arratisjes nga ai duket e pabesueshme. Sipas dyshimeve, e reja nuk tregon identitetin e personit pasi i druhet hakmarrjes nga shtetasi në fjalë, që është ish-i dashuri. Aktualisht, kjo ngjarje i është përcjellë prokurorisë për krime të rënda e cila po verifikon të gjitha të dhënat. Po ashtu pritet të zbardhen edhe tabulatet me numrat me të cilët vajza ka komunikuar para dhe pasi të largohej nga banesa e saj në Durrës./Javanews/a.m.