Qeveria ka paraqitur ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, të cilat kërkojnë të frenojnë fenomenin e kredive të këqia. Tashmë, në rast se dështon ankandi i parë i shitjes së pasurisë së lënë si kolateral, ajo mund të shitet me 30% të vlerës.
Drafti i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile, që vjen si kërkesë e bankave për të minimizuar dëmet që shkaktohen nga fenomeni i kredive të këqia, është depozituar në Kuvend dhe në ditët në vijim pritet të diskutohet në Komisione dhe të miratohet në seancë.
Më konkretisht, shkruan Mapo, neni 8 i këtij projektligji që bën ndryshime në nenin 577 të Kodit përcakton se në rast se prona e lënë si kolateral në ankandin e parë të zhvilluar nga banka nuk shitet dhe në rast se në ankandin e dytë nuk shihet ose nuk paraqitet fare ofertë, atëherë përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të shitjes në masën 30% të vlerës së përcaktuar nga eksperti përmbarues.