Shqipëria do të luajë sot kundër Rumanisë, me shpresën se një fitore mund ta çojë në raundin tjetër, si një nga katër të tretat më të mira. Nga 24 skuadra pjesëmarrëse, vetëm tetë do të kthehen në shtëpi, të fundit e çdo grupi dhe dy të renditura në vendin e tretë. Deri tani, Shqipëria mban vendin e fundit, me zero pikë, por fitorja do ta çonte në kuotën tre.
Pas përfundimit të dy ndeshjeve, të tretat më të mira janë Irlanda e Veriut e Sllovakia me nga tri pikë, Portugalia me 2 e Çekia me 1. Është një renditje që do të ndryshojë pas ndeshjeve të treta. Duke supozuar fitoren e kuqezinjve, janë të shumta mundësitë që Shqipëria të lërë pas të paktën të tretën e grupit të Italisë. Suedia e Irlanda kanë nga një pikë, të marrë midis tyre, por në ndeshjen e tretë suedezët luajnë me Belgjikën, ende në kërkim të kualifikimit, ndërsa irlandezët me Italinë. Nëse nuk marrin më tepër se një pikë, mbeten poshtë Shqipërisë, ndërkohë që Belgjika në vendin e tretë, edhe pse me tri pikë, me shumë gjasa do ta linte pas Shqipërinë, falë golaverazhit. Për grupet e tjera situata është më e ndërlikuar, por shanset për Shqipërinë janë reale, gjithmonë me kusht që sot të bëjë detyrën.
D.I.