Ministria e Financave bën të ditur se 860 ish-të dënuar kanë mangësi të dosjes për kompensimin. Emrat në listë (kliko këtu) duhet të postojnë dokumentacionin e kërkuar në një nga pikat e Postës Shqiptare, të çdo rrethi, dhe të nisin dokumentet në adresë të Ministrisë së Financave për Drejtorinë e Pagesave dhe të Dëmshpërblimeve. Këtyre personave u janë bllokuar paratë, sepse nuk kanë përmbushur detyrimin për rifresikimin e dosjes së tyre, siç e parashikon ligji i dëmshpërblimeve.
Përfitimi
Bëhet fjalë për kategorinë e personave që janë gjallë, për të cilët është akorduar edhe 70 për qind e fondit vjetor. Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, kjo kategori trajtohet me përparësi, sipas një rendi të caktuar, ku të parat që tërheqin dëmshpërblimin janë të dënuarat femra dhe të gjithë ata që janë në moshë mbi 75 vjeç. Në rendin e pagesave vijohet me ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, të dënuarit që kanë pasardhës në moshë të mitur, ata që nuk jetojnë, por kanë lënë trashëgimtarë minorenë, si edhe ish-të përndjekurit që janë nën 75 vjeç. Nga të dhënat e bëra publike janë rreth 2454 ish-të përndjekur, të cilët janë gjallë. Deri më tani ka përfunduar shpërndarja e pagesës së tretë dhe të katërt për pjesën dërrmuese të tyre, ndërkohë që ende nuk ka nisur shpërndarja e këstit të gjashtë. Ndërkohë, për ish-të dënuarit që presin të marrin pagesat deri në këstin e 8-të, duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave dokumentet përkatëse (certifikatën personale dhe numrin e llogarisë), ndërkohë për trashëgimtarët e tyre dikasteri kërkon edhe dokumentet që vërtetojnë lidhjet e gjakut. Këtë vit në buxhet janë akorduar 2 miliardë lekë, dhe përveç emrave që gazeta boton sot, do të përfitojnë këstet e radhës edhe kategoritë joparësore, ose trashëgimtarët.
Shekulli/d.i.