“Ngjarja e djeshme në Kavajë ku mbeti i plagosur kreu i forumit tonë rinor atje, Kid Kazazi, nuk ka aspak motive të dobëta, por lidhet drejtpërdrejt me politikën e Edi Ramës, me frymëzimin, mbrojtjen, imunitetin, pushtetin që krimi ka marrë prej tij.
Edi Rama e ka kthyer Kavajën në eksperimentin më të madh kriminal në vend, ku çdo zyrë e çdo karrige e pushtetit atje është në dorën e një bande të madhe me në krye Rroshin.
Edhe pse i dënuar në Itali për përdhunim në grup, edhe pse ka përdorur 5 emra për krimet e tij të ndryshme në Europë, edhe pse DEA amerikane e ka kërkuar për trafik droge e pastrim parash, Edi Rama vazhdon ta mbrojë me fanatizëm Rroshin e tij.
Faktet e të kaluarës kriminale të Rroshit i di sot çdo shqiptar, por Edi Rama e mban ende në detyrë, i jep mbështetje, e nxjerr nga burgu dhe i bën presion institucioneve për të ndalur dekriminalizimin.
Duke vepruar në këtë mënyrë, Edi Rama u jep krahë të gjithë banditëve të tij, si ai i djeshmi që lëviz lirisht me armë në brez, dhe e shkreh armën në mes të qytetit ndaj kundërshtarëve politikë.
Të gjitha këto janë motive shumë të forta, dhe e bëjnë Edi Ramën drejtpërdrejt përgjegjës për situatën e krijuar në Kavajë e kudo.
Një situatë e rënduar e një konflikti shoqëror ku banda e armatosur e Edi Ramës sundon e shtyp qytetarët e popullin.
Nëse Edi Rama nuk tërheq mbështetjen për kriminelët, nëse nuk u heq atyre pushtetin, është koha që qytetarët të marrin të gjitha masat për vetmbrojtje civile.
Nëse prokuroria dhe drejtësia vazhdojnë të gjunjëzohen para presionit të Edi Ramës, siç ndodhi me Rroshin që u kthye në shtëpi, siç ndodhi me Çakon që u kthye në detyrë edhe pse të dy përgjegjës për krime të rënda, sna mbetet tjetër vetëm t’i bëjmë thirje popullit të marrë vetë në dorë garancitë e të drejtat, dhe të sigurojë vetë jetën e tij.”