Policia e Shtetit ka Identifikuar autorin e vrasjes së biznesmenit Leonard Murataj nga Durrësi.
Në pranga të uniformave blu ka rënë 22-vjeçari Bedri Haka, i cili në nëntor të vitit 2014 ekzekutoi me armë zjarri biznesmenin Murataj.
Murataj u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij dhe në ngjarje morën pejsë dy persona. Haka mendohet të jetë personi që qëlloi mbi viktimën, i cili ka disa precedentë penalë dhe është akuzuar për vrasje e rrëmbim personi. Murataj njihej si anëtarë i bandës së Lulëzim Berishës.
Ngjarja
Ish- anëtari i bandës së Lulzim Berishës, e më pas kundërshtar i tij, u ekzekutua më 18 nëntor përpara lokalit në pronësi të tij, pranë sheshit “Liria” në Durrës. Burime nga policia tha se nuk ka pasur njoftime apo denoncim nga Murataj se ai ndihej i kërcënuar gjatë kohëve të fundit. Grupi hetimor ka mundur të zbardhë mekanizmin e vrasjes pas mbledhjes së dëshmive në vendngjarje. Sipas tyre Leonard Murataj ka qenë duke pirë kafe në lokalin e tij kur dy persona e njoftuan të dilte jashtë. “I thuaj pak Nardit të dalë jashtë se e kërkon Beni”, mësohet t’i ketë thënë njëri prej autorëve kamerierit të lokalit. Ky i fundit ia çoi fjalët Muratajt, i cili nuk hezitoi të dilte. Ai u përball me dy personat vetëm pak metra larg lokalit me të cilët debatoi për rreth 10 sekonda. Sipas dëshmitarëve pas debatit, i cili zgjati pak sekonda, njëri prej personave nxori pistoletën nga xhupi dhe qëlloi gjashtë herë në drejtim të Muratajt i cili ra në tokë i gjakosur. Dy plumba e kapën atë në kokë dhe tre të tjerë në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas krimit, autorët janë parë të largohen me shpejtësi drejt bulevardit kryesor të qytetit të Durrësit, ndërsa në kokë vunë kapuça. Ata kanë ecur në këmbë për disa metra dhe më pas u larguan me një veturë me targa të Fushë-Krujës e cila i priste disa metra larg. Mjeti u gjet një ditë më pas i braktisur në Vorë, ku sipas dëshmitarëve ishte pikërisht ai që përdorën autorët. Ndërkohë që më 19 nëntor policia shoqëroi dhe mori në pyetje rreth 15 persona kryesisht nga Kruja e Fushë-Kruja.
Kush ishte Leonard Murataj, e kaluara kriminale
Në raportet e policisë thuhet se Murataj është skeduar që në vitin 1994 për ngjarje në Durrës dhe përfshirje në “bandat” e krijuara në atë kohë. Fillimisht, dyshohej se ishte pjesë e grupit të Lul Berishës e Klodian Saliut por pas konflikteve është ndarë duke ju bashkuar grupit të Marsel Sotirit i vrarë nga “banda” e Berishës dhe Saliut. Sipas prokurorisë, në fillim të muajt tetor 1998 është vrarë Dritan Sallakun i cili mendohej se ishte pjese e grupit te Marsel Sotirit, ku menndohej se vepronte edfhe Leonard Murataj. Ne kete vrasje ata, dyshuan se ka marr pjesë edhe Artan Ylmiu të cilin e kanë rrëmbyer me forcë duke e dërguar në një banesë në Durrës. Babai i pengut, Nuhi Ylmiu pasi ka mësuar se djali i tij ishte rrëmbyer nga Murataj ka shkuar për të negociuar, por ai është ekzekutuar në vend. Më pas, Murataj thuhet në dosjen e prokurorisë, ka sqaruar se Artan Ylmiu nuk kishte gisht në vrasjen e Dritan Sallakut dhe është lënë i lirë. Gjithashtu, Murataj dyshohej se pas një sherri banal ka tentuar të vras edhe shtetasin Sajmir Zyberi në vitin 1997 në qytetin e Durrësit. Për këto ngjarje, ka folur edhe i penduari i bandës së Durrësit, Adriatik Coli i cili ka treguar rastet e implikimit të Muratajt në ngjarjet e ndodhura mes anëtarëve të bandave në qytetin bregdetar të Durrësit.
Për këto ngjarje Leonard Murataj është arrestuar së bashku me Erald Bajramin në qershor të 2006 ku edhe është hetuar nga prokurorët Sokol Malaj e Anton Martini. Më pas për rreth 12 muaj është gjykuar nga 5 gjyqtarët e Krimeve të Rënda të kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova. Në përfundim të gjykimit, prokurorët tërhoqën dosjen për Muratajt për vazhdim hetimesh, pasi gjykata nuk pranoi të shqyrtoj disa prova, ndërsa Bajrami u deklarua i pafajshëm. Ky vendim u la në fuqi edhe në Apel dhe pranë Gjykatës së Lartë. Ndërsa me kalimin e dosjes për Muratajn në prokurorin e Durrësit, kjo e fundit e pushoi për mungesë provash. Në asnjërin prej këtyre rasteve, qoftë Prokurori i Përgjithshëm apo anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk vepruan për të marre masa ndaj personave që vendosen lirimin e tyre dhe pushimin e dosjes.
Ndërkohë prokuroria e Durrësit thotë se një nga pistat e hetimit të vrasjes së Muratajt, është ajo e hakmarrjes, për shkak të kaluarës së tij kriminale dhe përfshirjes në ngjarje të ndryshme.