Policia Helene ka goditur një grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës, ku në pranga kanë rënë 14 persona, mes tyre edhe 11 shtetas shqiptarë. Droga e llojit kokainë, heroinë dhe hashash i përpunuar kishte për qëllim tregun vendas. Mediat greke shkruajnë se operacioni i policisë greke filloi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Atikës, ku u zbulua edhe një laborator i përpunimit të drogës.
Ende nuk bëhen të ditur emrat e personave të arrestuar. Në cilësinë e provës materiale policia sekestroi 7 kilogramë heroinë, 850 gram kanabis i përpunuar, 37.6 gram kokainë dhe 5 kilogramë e 506 gram pluhur farmaceutik i përshtatshëm për tjetërsimin e drogës. Po ashtu janë sekuestruar edhe pajisje laboratorike për përpunimin e drogës, një pistoletë, një sasi parash prej 13 635 euro si dhe 2500 lekë shqiptare, dy makina, telefon celularë, peshore etj./Lajmifundit/