Pas incidentit që ndodhi në Kavajë, një sërë drejtuesish dhe përfaqësuesish të PD i janë drejtuar spitalit ku ndodhet Kid Kazazi, kreu i FRPD-së. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se ngjarja ka qenë e parapërgatitur dhe se autori ka pasur mbrotjen dhe shoqërimin nga kryetari i PS-së së këtij qyteti.
“Ne u njohëm me ngjarjen e cila ka ndodhur mbi bazën e provokimeve banale. Ajo që ka ndodhur është se ai ka shkuar i përgatitur me pistoletë në brez dhe siç u thashë është larguar nën shoqërinë e kryetarit të PS-së së Kavajës dhe në makinë të tij. Ngjarja është e frymëzuar politikisht ashtu siç u thashë nën shembujt e Armando Prengës. Nga veriu në jug Rama po sponsorizon dhe po nxit kriminelë të tillë për të derdhur gjak opozite dhe gjak shqiptarësh. Situatën e vlerësojmë shumë të rëndë dhe në rast se nuk ka masa të shpejta nga Rama dhe banda e tij shqiptarët janë në kushtet e mbrotjes së nevojshme dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’u përgjigjur situatës”, tha Ristani.
“Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë dhe dy qytetarë të tjerë janë plagosur nga plumbat e një njeriu që ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë dhe nën shoqërimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës. Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh. Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet ti tërheqë patjetër ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrotjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tju përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetmbrojtur”, ka shtuar Ristani.