Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi priti sot në një takim Ministren e Zhvillimit Rajonal të Çekisë, Karla Šlechtová, e cila mbulon edhe turizmin. Gjatë takimit dypalësh, Ministrja Ekonomi, në emër të Qeverisë Shqiptare, falënderoi Ministren, Karla Šlechtová për kontributin e Republikës Çeke përmes disa projekteve në fushën e turizmit.
“Jemi duke punuar për formulimin e broshurave promocionale për turizmin shqiptar në gjuhën çeke”, u shpreh Ekonomi. Ministrja Ekonomi e njohu, Karla Šlechtová me përpjekjet dhe lehtësirat e Qeverisë Shqiptare në thithjen e investitorëve të huaj. Ministrja e Zhvillimit Rajonal të Çekisë, Karla Šlechtová vlërësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe u shpreh e gatshme të ndihmojë në promovimin e mëtejshëm të asaj çfarë ofron turizmi shqiptar, në mënyrë që turistët çekë të mos përqendrohen vetëm në Veri të Shqipërisë, por edhe të vizitojnë pjesë të tjera të saj. Gjatë takimit, u dakortësua sjellja e një grupi tur operatorësh çekë për të zhvilluar takime me homologët e tyre shqiptarë.
Karla Šlechtová ftoi Ministren Ekonomi të marrë pjesë në eventin e përvitshëm “Holliday World” që zhvillohet në Pragë, si një mundësi për të promovuar turizmin shqiptar. Në takim u shkëmbyen ide edhe për shtimin e prezencës së investitorëve çekë në Shqipëri, nga ku Ministrja znj. Karla Šlechtová u shpreh se, ka interes nga kompanitë çeke në ndërtimin e rrjeteve të hotelerisë në Shqipëri.
FJALA E MINISTRES EKONOMI:
Ishte kënaqësi për mua të takohesha me Ministren e Zhvillimit Rajonal të Çekisë, znj. Karla Šlechtová dhe delegacionin që e shoqëron. Patëm një shkëmbim të frytshëm idesh se çfarë mund të ofrojë turizmi shqiptar dhe çfarë mund të përfitojmë ne nga eksperienca e shkëlqyer çeke, sidomos kur vjen fjala për turizmin malor. Nisja e vizitës së ministres çeke në Shqipëri përkoi dhe me mbërritjen e charterit të parë të turistëve nga Praga, për këtë sezonin turistik. Ndryshe nga vitet e tjera, kur ne kishim një charter për çdo javë, duke nisur nga dje e deri në shtator fluturimet do të jenë me dy chartera në javë, që vijnë nga Çekia. Në këtë kuadër, ne vlerësojmë se fluturimet Pragë-Tiranë do të japim një nxitje të mëtejshme të zhvillimit të turizmit dhe të kontakteve njerëzore midis dy vendeve tona, por padyshim do të rrisin edhe volumin tregtar midis nesh.
Ne konstatojmë me kënaqësi se numri i çekëve që kanë vizituar Shqipërinë, në vitin 2012 ishte 9300 dhe në vitin 2015 ai shkoi në 15 700. Më lejoni e nderuar znj. Šlechtová, që në emrin tim dhe në emrin e qeverisë shqiptare, të falënderoj të gjithë bashkëkombësit tuaj që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion për pushimet e tyre. Qeveria shqiptare, gjithashtu, është shumë mirënjohëse për kontributin e palës çeke në financimin e projekteve për zhvillim lokal, si projekti I Malit të Dajtit, zhvillimit të turizmit në Divjakë, Kolonjë, vendosja e forcave të shpëtimit malor në luginën e Valbonës, apo përgatitja e hartave turistike. Interesi i tregut çek për Shqipërinë është vazhdimisht në rritje dhe mjaft i ndjeshëm. Marrëveshja e bashkëpunimit, e nënshkruar në fushën e turizmit midis palëve, në tetor të vitit 2015, është një instrument tjetër i rëndësishëm që I përket thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe sidomos funksionimit të përbashkët të Komitetit në fushën e turizmit. Përsa i takon ekonomisë, diskutuam që në vijim, dhomat e Tregtisë të dy vendeve dhe agjencitë përkatëse të investimeve të huaja të rrisin shkëmbimet për bashkëpunim tregtar. Takimi me ministren Šlechtová ishte një mundësi e mirë që të kisha mundësi të ftoja dhe investitorët çekë që mund të investojnë në Shqipëri, në sektorin e turizmit, të zonave ekonomike teknologjike dhe në sektorë të tjerë të zhvillimit industrial të vendit.
Unë shpreha gjithashtu dhe mendimin tim dhe të ministrisë që drejtoj që mund të ndajmë informacione për praktika dhe përvojat e mira që kemi arritur në fushën e turizmit, për të promovuar studime dhe projekte, aktivitete për fuqizimin profesional të profesionistëve të turizmit dhe reciprokisht, midis dy vendeve tona, të përfitojmë për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore. Së bashku me Ministren Karla Šlechtová, shprehëm interesin për të aktivizuar edhe mbledhjet e sesionit të radhës të grupit të përbashkët të punës për bashkëpunimin ekonomik, i cili do të zhvillohet në Tiranë në muajt në vazhdim. Unë e falënderoj shumë delegacionin për kohën që po harxhon në Shqipëri dhe për këtë shkëmbim idesh që patëm mundësi të kemi në këto ditë.
Faleminderit.
Cila është këshilla juaj për Shqipërinë, për të rritur numrin e turistëve çekë. Cili është mesazhi juaj për turistët çekë dhe cilët janë sektorët që jeni të interesuar të investoni në Shqipëri?
Ministrja Karla Šlechtová: Faleminderit për pyetjen. Së pari, Shqipëria duhet të promovojë veten pak më shumë në mbarë botën. Republika çeke po promovon Shqipërinë në vendin e saj. Ne mbështesim Shqipërinë në gjithë aktivitetet e BE. Kështu që, Shqipëria duhet ta prezantojë veten, çfarë ju keni këtu, ligjet që keni, sepse investitorët duan të dinë a e zgjidhët problemin e pronësisë në Shqipëri. Nëse jo, ne do të presim që të zgjidhet. Turistët çekë mund të shkojnë në Shqipëri për të parë malet. Së pari, republika çeke nuk ka det. Ajo çfarë pashë nga avioni, kur po uleshim këtu, ishte shumë e bukur. Ju keni një vend shumë të bukur. Ju keni diçka për të ofruar, definitivisht. Por, nga na tjetër, të gjithë turistët e huaj, turistët çekë, duan të kenë sigurinë në male. Ndaj po ju ndihmojmë në këtë aspekt.
Përsa i përket investimeve, së pari, ata janë shumë të interesuar për investime në zona malore apo bregdetare. Ata do të vinin këtu por, së pari, duhet të dimë se kush është pronari.