Nga Gilman Bakalli
Një gjë është e sigurt. Me shfaqjen e ish-kryeministrit Nano në publik, fillojnë edhe thashethemet për presidentin e radhës. Shumë shpejt do fillojnë takimet për kafe te Rogneri, pas të cilave dikush do të hedhë një a dy emra në publik sa për ta ushqyer publikun me pak mish njeriu, ndërkohë që në kuzhinë shefat do të përziejnë përbërësit që do të krijojnë kandidatin presidencial të radhës. Më pas do fillojnë takimet me dyer të mbyllura, prej nga do dalin herë negociues, herë pretendues, kërcënues e provokues, emra të ndryshëm kandidatësh për presidentë. Lista do zgjatet në negociata të pafundme. Sepse sigurisht të gjitha palët hallin e kanë te dinjiteti i postit presidencial.
Ju lutem na e kurseni hipokrizinë teatrale të radhës! Anulojeni përfundimisht postin e presidentit!
Nuk është asgjë tjetër veçse një zombie në skenën e politikës. Me kalimin e viteve, pushtetet që kanë ardhur e kanë ikur e kanë gërryer pak nga pak nga brenda, duke e lënë në këmbë vetëm si fasadë. Dhe mirë kanë bërë. Veçse do kishin bërë akoma më mirë sikur ta kishin eliminuar totalisht si institucion. Ajo çka ka ngelur është veçse një trung administrativ, një zombie e politikës. De facto, presidenti sillet si një monark kushtetues. Ushtron detyra përfaqësimi, nënshkruan ligje, emëron dhe firmos shkarkime ministrash, por nuk ka kurrfarë pushteti faktik. Sidoqoftë, posti i tij është një post drejtpërdrejt politik.
Ndryshon puna me presidentin tonë. Nga njëra anë ai është i zgjedhur, çka e bën postin e tij automatikisht post politik, por, ndërkaq, atij i kërkohet zyrtarisht të sillet si apolitik. Jo zyrtarisht i duhet të marrë pozicione partiake, të krijojë ngërçe politike, kurse zyrtarisht të kujdeset për fjalime unifikuese dhe moralisht frymëzuese. Kjo shpie detyrimisht në situata të sikletshme, sido që të shprehet ai dhe zyra e tij. Për këtë arsye, çdo president e sheh më oportune të lëvizë publikisht në terrenin e korrektësisë politike, të bëjë thirrje për tolerancë, për mirëkuptim mes palësh, për solidaritet social e të tjera gjëra tmerrësisht të mërzitshme si këto. Shkurt pra, të sillet si udhëheqës shpirtëror i kombit. Mirëpo, një klerik i tillë në postin më të lartë të shtetit, që shpërndan nëpër popull një bullshit të tillë moralo-intelektual, është totalisht i panevojshëm. Cilindo që e merr malli për doza të përditshme ëmbëlsirash të tilla morale, mund të bëhet mik me klerikë të ndryshëm në Facebook. Nuk ka pse pret daljen televizive të radhës së presidentit.
Politikë do të thotë ushtrim pushteti. Një post politik pa pushtet përbën një paradoks në vetvete, një karikaturë politike, e cila vazhdon të jetojë në saje të iluzionit simpatik se vendit i duhet një instancë politike përbashkuese, e cila orienton përmes pushtetit të fjalës. Romantikë politike, asgjë më shumë! Nuk mund ta kemi luksin të mbajmë në këmbë një institucion, i cili herë sillet si institucion partiak e herë fetar. Në këtë kuptim, posti i presidentit është i panevojshëm. Detyrimet që burojnë prej tij mund t’i kalojnë pa pikë problemi kryetarit të Kuvendit. Rrugën drejt tolerancës, paqes e mirëkuptimit nuk mund të na e tregojë presidenca. E as politika. Morali dhe orientimi drejt një jete të mirë nuk janë detyrë e shtetit. Shteti ka për detyrë të ofrojë siguri e drejtësi dhe të mos i bjerë në qafë qytetarit.
Mirë do ishte që presidenti aktual ta mbyllte me nder mandatin e tij e të largohej në heshtje të plotë. Pa i shtuar detaje të tjera karikaturës politike që prodhon institucioni i tij honorifik.
“Mapo”