Tifozët e futbollit në mbarë botën i kanë ofruar kapitenit të Përfaqësueses së Islandës, Aron Gunnarsson, fanellat e tyre, pasi ai është refuzuar nga Cristiano Ronaldo për të shkëmbyer ato pas ndeshjes të “Euro 2016” që u zhvillua të mërkurën mbrëma.
Kjo ndeshje përfundoi me rezultatin 1:1, kurse Ronaldo i nervozuar me rezultatin pas ndeshjes ka injoruar tentimet e kapitenit të Islandës për të shkëmbyer fanellat, gjest ky që tash e shumë kohë është traditë për futbollistët, përcjell Koha Ditore.
Pas refuzimit për të shkëmbyer fanellat, ylli i Real Madridit ka vazhduar me ofendimet ndaj Islandës, barazimin e të cilës e ka quajtur me fat.
“Mendova se e fituan evropianin në bazë të festimeve që i bën pas ndeshjes. Ishte e pabesueshme”, pati deklaruar Ronaldo. Si rezultat i kësaj injorance, Ronaldo është vlerësuar si “humbës i keq” nga tifozët për reagimin e tij… (b.an)