Disa rrjete sociale kanë publikuar një test matematike duke pretenduar se është testi origjinal i provimit të Matematikës që zhvillohet sot për maturantët. Provimi i Matematikës nisi sot në orën 10:00 dhe në testin e publikuar iu jepen zgjidhje të gjitha pyetjeve. Në total janë 25 pyetje, 13 me zgjedhje dhe 12 me zhvillim.
News 24 kërkoi reagimin e Ministrisë së Arsimit ku burime nga ky institucion deklaruan se ky nuk është testi origjinal i provimit. Për këtë fakt ka reaguar në profilin e tij në Facebook edhe ish-kryeministri Berisha duke e cilësuar “një turp kombëtar”. “Horrat e shtetit nxjerrin në treg, një ditë përpara, testin e Matematikës si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij shteti”, shkruan Sali Berisha, duke publikuar fotot e testit të provimit.
Autenticiteti i këtij testi mbetet për t’u vërtetuar vetëm pasi të mbarojë sot provimi i Matematikës. Disa ditë më parë doli online para përfundimit të provimit testi i Letërsisë, fakt që u pranua nga ministria e Arsimit dhe u paralajmërua kallëzim penal.
BW/d.i.