Shoqata më e rëndësishme e përfaqësimit të sipërmarrjeve italiane, nga sot ka degën e saj në Shqipëri, “Confindustria Albania”. Kryeministri Edi Rama e cilësoi lindjen e konfidustrisë shqiptare një mundësi të mirë për të çuar edhe më përpara bashkëpunimin ekonomik me Italinë, që aktualisht përbën edhe partnerin më të rëndësishëm tregtar të vendit tonë.
“Mund të jetë një instrument më shumë për 3 arsye: për kulturën e sipërmarrjes, për njohuritë që mund të përcjellë, por edhe ndërtimin e urave të reja mes Shqipërisë dhe Italisë, në kuptimin që të sjellin këtu më shumë investime, më shumë ndërmarrje italiane. Unë vë gjithmonë kulturën e ndërmarrjeve në plan të parë, sepse ajo që zjellin ndërmarrjet e huaja është një kulturë sipërmarrjeje që po rritet, por ka nevojë të konsolidohet”, tha kryeministri Edi Rama.
Por çfarë presin italianët nga Shqipëria? Edhe në këtë takim, në fjalën e amdasadorit italian Cutillo nuk mungoi referimi te drejtësia.
“Sipërmarrësit kërkojnë vende si Shqipëria, që ofrojnë mundësi, por kërkojnë edhe një kuadër shumë të qëndrueshem rregullator, legjislativ sa u përket investimeve. Kërkojnë legjilacionin e punës dhe atë tregtar, që të jetë në përputhje me standardet europiane. Një sistem drejtësie të efektshëm, efikas dhe transparent. Është një përpjekje e madhe ajo që autoritetet shqiptare po bëjnë për të çuar vendin e tyre drejt këtyre standardeve dhe jam i bindur që do të kenë sukses”, tha Alberto Cutillo, ambasador i Italisë.