Partia Bashkimi për të Drejtat e njeriut vlerëson si legjitime kërkesën e Partisë Dmeokratike për “vendet e rezervuara”. Nëpërmjet një deklarate për mediat kreu i kësaj force Vangjel Dule deklaron se ka ende mundësi për të gjetur konsensus për këtë çështje.
Deklarata e Dules:
“Partia Bashkimi për te Drejtat e Njeriut vlerëson ecurinë e dialogut për reformën në drejtësi dhe kompromisin e deritanishëm. Kjo përbën natyrisht një arritje që dëshmon pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime por edhe interesa politike të ditës.
Me të njëjtin vullnet pozitiv dhe garancitë e paanshme të partnereve tanë, mbështetës të sinqertë të çdo procesi jetik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë, është plotësisht i arritshëm kompromisi edhe për piken e vetme dhe të fundit të mbetur pa dakortësi.
Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohe të dialogut të sinqertë dhe negocimit shterrues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejtë në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetaret dhe shoqëria.
Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit”.
/a.m.