Për herë të parë, shërbimi i hemodializës, jetik për këdo që e kanë të nevojshme atë, kryhet edhe në Vlorë. Deri më sot, për të kryer hemodializën, pacientët duhet të udhëtonin tre herë në javë drejt Tiranës, të shoqëruar nga familjarë, për të kryer në spitalin ”Nënë Tereza” ose në Fier, seancat që zgjasin deri në 4 orë dhe me tre turne. Tashmë ky shërbim për Vlorën ofrohet në spitalit rajonal ku është ngritur Qendra e re e Hemodializës.
Qendrën e re të Hemodializës e vizitoi Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe deputetë te zones. Kryeministri u takua me pacientë që ndërkohë ishin duke kryer dializën. Hapjen e Qendrën, ata e quajtën shërbim në derë të shtëpisë. Në Tiranë, shumë prej tyre, për shkak të kërkesave të larta, u duhej ta kryenin atë në turn të tretë.
“Kjo është prova e prekshme e të vërtetë, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë. Në atë lloj sistemi paguheshin nga shteti 90 euro dhe merrej një shërbim mizerabël. Në këtë skemë, shteti paguan vetëm 80 euro dhe merr shërbim që është standarde europiane, të certifikuar si kudo. Është shumë rëndësishme që të gjithë ata që bëjnë hemiodializë të shpëtojnë, siç shpëtuan këta në Vlorë, ata në Korçë, ata në Shkodër dhe ata në Lezhë e me radhë, sipas kontratës. Të vijë ky shërbim dhe të mbarojë kjo torturë për qindra e qindra familje që shohin makthe. Plus janë detyruar që shpeshherë ta bëjnë turni i tretë,” u shpreh Kryeministri.
“Kjo Qendër është ndër 5 qendrat që hapen në vend gjatë këtij viti, çka do të ulë ndjeshëm edhe shpenzimet e transportit që paguheshin nga spitali për këta pacientë. Sipas ministrit Beqaj, pacientët e hemodializës do t’i marrin në vend edhe ilaçet. “Shkurtim kohe për pacientin e familjarët. Nuk shpenzojmë më për transportin. Spitali paguante 3 herë në javë për çdo transport dhe shkonte në vit, 600-700 euro për çdo pacient. Edhe shpërndarja e barnave me listën e re të rimbursimit do t’i marrin këtu dhe nuk ka më nevojë të vijnë në Tiranë. Është e para në 5 pikat që do hapim këtë vit sipas kontratës,” nënvizoi ministri Beqaj. ”Kur morën vesh se do hapje kjo këtu, na ke gëzuar e shtuar jetën. Aq kemi qenë nga rruga, pasi shkonin tre herë në javë në Fier,” u shpreh një paciente.
“Pas shumë torturash jua dimë për faleminderit gjithë stafit që ka punuar, që na sollët në shtëpinë tonë më në fund dhe nuk na latë të bridhnim nga një qytet në një tjetër. Tre herë në javë nga 4 orë. Në Tiranë dhe në Durrës e kam pasur turn i tretë,” u shpreh një tjetër, që prej dy vitesh shoqëronte bashkëshortin për kryerjen e hemodializës.
“Në Tiranë u shtrova në spital dhe bëja dhe dializën. Që andej më sollën në Fier, 5-6 muaj. Sot e kam për herë të parë në Vlorë” ; “Nga Vlora shkoja tre herë në javë. Ikja e vija me makinë, me një pjesëtar të familjes”; “Ta dimë për nder, që e mbajte llafin, që na rregullove. Rrofsh me gjithë shpirt ta them,” ishin përjetimet e të tjerë pacientëve.
Hapja e Qendrës së Hemodializës në Vlorë është kryer falë partneritetit të suksesshëm publik-privat. Kostoja e këtij shërbimi që përfitohet falas nga pacientët është më e ulët se ajo që kryhej deri dje.
Kjo Qendër i vjen në ndihmë edhe të gjithë atyre pushuesve që e kanë të dosmodoshme këtë shërbim, të cilin mund ta kryejnë edhe gjatë periudhës së pushimeve të sezonit veror.