Të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-ja) në buxhet gjatë periudhës janar-maj të vitit 2016 arritën në 540,343 milionë lekë, ose 37 % e totalit të të ardhurave të planifikuara për tu mbledhur gjithë vitin. Gjatë gjithë vitit 2016 janë planifikuar për tu mbledhur 137,916 milionë lekë si TVSH.
Të ardhurat nga TVSH janë 7,192 milionë lekë më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Në pesëmujorin e parë të vitit 2015 u mblodhën nga TVSH-ja 47,151 milionë lekë.
Të ardhurat nga TVSH në import janë realizuar në vlerën 37.1 miliard lekë. Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Financave, kontributi në të ardhura nga ky zë është 5.07% më shumë se 5 mujori i vitit 2015. Ndërsa krahasuar me planin këto të ardhura janë realizuar në masën 99.4 %.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 14.2 miliard lekë ose 20 % më shumë se 5 mujori i vitit 2015, me një realizim të planit të periudhës në masën 98.1 %. Ky rezultat i TVSH-së neto vjen pas zbritjes së rimbursimit të kryer në këtë periudhë me rreth 3 miliard lekë.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) zbatohet ndaj mallrave dhe shërbimeve brenda territorit të Shqipërisë.