Komisariati Dixhital po rezulton gjithnjë e më tepër një histori suksesi, dhe kjo falë edhe denoncimit të vetë qytetarëve. Dhe këta të fundit nuk ia përtojnë çdo parregullsie që shohin.
Përmes postimeve në rrjetet sociale, Ministria e Brendshme ka njoftuar gjobitjen e as më pak e as më shumë të automjeteve të vetë Policisë ashtu sikurse edhe të Kryeministrisë.
Siç duket edhe në foto, automjeti i Kryeministrisë është gjobitur për parkim të gabuar, pikërisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë selisë së Qeverisë, ku prej muajsh ndalohet parkimi.
Por vëmendjes së qytetarit nuk i shpëton as vetë policia. Në fakt siç tregon edhe foto e radhës, gjoba tjetër ka shkuar për automjetin e policisë i cili ka shkelur semaforin e kuq. Gjoba këtë herë është edhe më e madhe.
Siç bëhet e ditur, në më pak se 1 muaj, dita kur u bë aktiv aplikacioni Komisariti Dixhital, rreth 4.400 denoncime kanë mbërritur në sallën operative nga e gjithë Shqipëria.
Numrin më të madh të tyre, e zënë raportimet për parkime të gabuara, që janë mbi 1900 raste, kryesisht në Tiranë, Durrës, Elbasan.