Ky është një kalë i bardhë që rrezikon shumë. Jo nga makinat që i kalojnë pranë me shpejtësi vetëtime. Rrezikon qetësinë me të cilën kullon i qetë dhe i patrazuar në skarpatet e Lanës, bashkë me një tufë tjetër sivëllezërish e simotrash të tij me katër këmbë. Rrezikon sepse këto janë ditët e fundit në detyrë të Lulzim Bashës në krye të bashksië së Tiranës. Rrezikon edhe pse është bërë dhe herë të tjera personazh i mediave on line.
Rreziku për të është i një natyre tjetër, etike dhe politike. Meqë e ka bërë të udhës të dalë në rrugë, ai përgjithësisht ecën përballë makinave, ai mund të bjerë në sy të të majtëve që mund ta shndërrojnë atë në mos në spot, në slogan buçitës: Ky kalë është në drejtimin e gabuar. Votoni kundër Bashës që e mbushi Tiranën me kuaj!
P.S. Eshtë një aktor simpatik i Portokallisë në Top Channel që shpesh nga pas kamerës që e xhironte në spektakël, ka bërë batuta të hidhura me policë. U bë pothuaj një javë që një patrullë policie i hoqi patentën sepse… po ecte në një rrugë me sens unik. Njëlloj sikur donin të hakmerreshin për të qeshurat e të dielave në mbrëmje. Vetë aktori pretendon se çfarë nuk bën përshtypje tek një kalë,. është diskriminim të penalizojë kaq rëndë një njeri. “Po kali, pse nuk gjobitet për ecje në rrugë me sens unik? Pse nuk ka një qëndrim “unik” të Kodit Rrugor”, tha ai për JavaNews.al, i prekur për këtë shkelje që e ka prekur në sedër, sa kohë që ka kohë që është futur plotësisht në rrugë të drejtë e në drejtimin e duhur.