Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe dy plane ndërsektoriale; Planin e Bregdetit dhe Planin për zonën ekonomike Tiranë-Durrës. Deri dy ditë më parë, Shqipëria renditej e fundit në rajon sa i takon hartimit të Planit të Territorit, ndonëse detyrimi ligjor për këtë plan është përcaktuar që në vitin 2009 pas miratimit të ligjit “Për Planifikimin e Territorit”. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Zhvillimit Urban hartoi strategjinë e plotë të zhvillimit të territorit, e cila paracakton mënyrën se si do të zhvillohet vendi gjatë 15 viteve të ardhshme. Në një aspekt të gjerë, përmes 3 planeve, synohet lidhja e Tiranës me Durrësin, e cila do të marrë emrin Durana si dhe projektohen një sërë rregullash e zhvillimesh ekonomike. Tri planet, synojnë t’i japin fund kaosit të krijuar nga ndërtimet pa leje, pas viteve ’90 dhe të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm ekonomik e social të territorit me leje ndërtimore të kontrolluara.
Zhvillimi i vendit
Duke iu referuar Planit të Përgjithshëm Kombëtar, në zhvillimin e qendrave urbane, Tirana do të shndërrohet në metropol, ndërsa Shkodra, Kukësi, Lezha, Durrësi, Elbasani, Berati, Fieri, Vlora, Korça dhe Saranda do të kthehen në qendra urbane me rëndësi kombëtare ose ndryshe, kryeqendra. Më tej, sistemi do të përfshijë si qendra rajonale të ndërmjetme njësitë administrative; Tropojë, Peshkopi, Pogradec, Himarë, Gjirokastër dhe Sarandë. Pas tyre janë 14 njësi që do të funksionojnë si qendra me funksione komplementare, që do të pasohen nga njësitë më të vogla (qendrat lokale). Ndërkohë, sa i përket transportit ajror, plani synon ngritjen e sistemit të transportit me avionë, jo vetëm nga aeroporti “Nënë Tereza”, por edhe nga 5 pista të tjera që do të ngrihen në Kukës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Plani i Bregdetit
Dokumenti përcakton se, në zonat bregdetare nuk duhet të lejohen ndërtime permanente në një distancë 200 metra nga bregdeti. “Nuk lejohet të ndërtohet nën kuotën plus 60 metra mbi nivelin e detit në bregdetin e Jugut. Ulja e lartësisë së ndërtimit duhet të shoqërohet edhe me kufizime të tjera për të frenuar shpërhapjen urbane ose ekspansionin horizontal. Bashkitë duhet të sigurojnë guida dhe rregullime për llojet e ndërtimit të njësive të banimit Për qendrat urbane ku karakteri i zhvillimit është urban dhe jo turistik, parametrat e zhvillimit duhet të arrijnë deri në nivelin 5 kate. Në zonat lokale në fashën e dytë dhe të tretë duhet të respektohen parametrat e zhvillimit të lokalitetit ekzistues, ndërsa zhvillimi për zonat urbane të fashës së dytë dhe të tretë i lihet në studim planit të përgjithshëm vendor”, janë disa nga pikat e planit. Ndërkohë, industria e Turizmit parashikon të zgjerohet, për gjithë muajt e vitit, edhe me turizëm agrar e aktivitete kulturore. Gjithashtu, përparësi do të jepet edhe për fshatrat turistikë. Përgjatë bregdetit, vendi mund të zhvillojë një linjë të rëndësishme parqesh si; Parku Rajonal i Veriut, Parku Ekonomik në qendër, Park Agrikultural qendror dhe Parku bregdetar i Jugut.
Durana
Për bashkimin e Tiranës me Durrësit, në pjesën infrastrukturore, janë hartuar 3 skenarë, nisur nga zhvillimet e zonës vrullshme që ka marrë zona e ndërmjetme Tiranë-Durrës dhe ndërtimet kaotike pa vizion që kanë dëmtuar peizazhin. Sipas skenarit të parë, synohet zgjerimi i rrugës, Tiranë-Ndroq-Durrës; zhvillimi i korridorit Tiranë-Vorë-Durrës si zonë ekonomike dhe plotësimi i Unazë së Madhe të Tiranës. Skenari 2 projekton zgjerimin e autostradës në të gjithë aksin Tiranë-Durrës, ndarjen e zonës ekonomike dhe shndërrimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Durrës, në zonë rekreative (me peizazh). Po ashtu, sipas këtij skenari, do të plotësohet Unaza e Madhe Lindore e Tiranës. Skenari 3 zgjeron pjesërisht autostradën Kashar-Unazë Durrës, rrugën e vjetër Fushë Krujë-Vorë dhe plotëson Unazën e Madhe Lindore të Tiranës.
Kushtet për bashkitë, të ndalin informalitetin
Strategjia që do të ndiqet për zhvillimin e territorit do të zhvillohet në etapa të ndryshme kohore, nëpërmjet të cilave do përcaktohet hierarkia e qendrave urbane. Gjatë miratimit, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në cilësinë edhe të zv/kryetares së Këshillit Kombëtar të Territorit tha se miratimi i planeve i hap rrugë lejeve ndërtimore, duke ndalur ndërtimet e paligjshme dhe pa kriter, dhe duke nxitur në këtë mënyrë edhe investimet. “Të tre planet, synojnë t’i japin fund epokës së informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Sot Shqipëria e ka një plan zhvillimi që i tejkalon kufijtë e një mandati politik, i cili do të garantojë dhe nxisë rritjen e ekonomisë lokale, rajonale dhe kombëtare duke krijuar më shumë mundësi punësimi, klimë të favorshme për aktivitete biznesi dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Ky plan zhvillimi i cili garanton zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të territorit dhe i thotë ndal kaosit urban. Vizioni Shqipëria 2030, është tashmë një platformë e qartë në të cilën do të mbështetet zhvillimi i vendit në 15 vitet e ardhshme, për një Shqipëri konkurruese me vendet e rajonit, një destinacion turistik dhe ekonomik”, tha Ministrja Gjermeni. Ndërkohë, zv/kryeministri Niko Peleshi vlerësoi procesin si historik për planifikimin e territorit në Shqipëri. “Në vitin 2013 trashëguam një territor ku numëroheshin mbi 400 mijë ndërtime informale apo formale,të dhëna në mënyrë të gabuar, sepse mes të tjerash bashkitë nuk kishin një plan ku të bazoheshin për dhënien e lejeve në territorin e Shqipërisë. Nga sot nis një kohë e re, një epokë e re. Sot ne po ndërtojmë një model të ri për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit”, deklaroi zv.kryeministri Peleshi.
Planet vendore
Sot, territori administrohet nga 61 bashkitë e reja, në sajë të reformës administrative territoriale, e cila është konsideruar si reformë gjithëpërfshirëse, ku ndërthuren qendrat urbane me ato rurale. Planet kombëtare do të japin piketat e zhvillimit dhe vizionit, ndërkohë që planet e përgjithshme vendore të këtyre bashkive të reja do të jenë pjesa tjetër më e rëndësishme. Në këtë mënyrë të dyja, do të japin strategjinë e një zhvillimi të mirëintegruar në Shqipëri. Gjatë këtij viti, qeveria ngriti asistencë financiare për 26 bashki përkatësisht, Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër. Ndërkohë, tashmë 31 bashkitë e tjera kanë planet vendore të hartuara dhe miratuara.
Neritan Gjergo
ma.me