Takimi i shumëpritur i “armiqve” Pep Guardiola e Jose Mourinho, tani në tokën angleze, do të ndodhë më 10 shtator, në “Old Trafford”, ku Manchester United do të presë Manchester City, për kampionatin e ardhshëm.
Të dy nisin aventura të reja në sezonin e ri, për të cilin është hedhur tashmë shorti.
Guardiola e mbylli sezonin me Bayern, ndërsa Mourinho ishte pushim, pas shkarkimit nga Chelsea, të cilin e viziton më 22 tetor. Më parë, dy trajnerët e njohur për sherret në distancë me njëri-tjetrin, janë përballur në Champions League, kampionatin spanjoll, si dhe në Superkupën e Evropës, kur Pep sapo kishte marrë drejtimin e bavarezëve dhe Jose ishte rikthyer te Chelsea.
Në javën e parë, United luan në transfertë me Bournemouth, ndërsa City pret Sunderland.
Por takimi më i fortë i javës së parë, e cila do të luhet më 13-15 gusht, është ajo në “Emirates”, midis Arsenal e Liverpool.
Skuadra që ka startin më të vështirë është pikërisht ajo e Jürgen Klopp. Në pesë javët e para, Liverpool do përballet me Arsenal, Tottenham, Leicester e Chelsea.
Antonio Conte, në drejtimin e bluve të Londrës, do ta nisë me derbin kundër West Ham.
Leicester City e nis mbrojtjen e titullit në fushën e Hull City, i sapongjitur në Premier League.
D.I.