Të dhënat e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri, të analizuara nga BIRN, zbulojnë se një përqindje e lartë e tyre nuk e justifikojnë dot burimin e pasurisë së deklaruar në një ose më shumë vite gjatë karrierës në sistemin e drejtësisë.
Që nga viti 2004, si të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm në Shqipëri, gjyqtarët kanë detyrimin ligjor që një herë në vit të deklarojnë shtimin ose pakësimin e pasurisë së tyre, për vitin e mëparshëm kalendarik.
Deklaratat e pasurisë administrohen nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Nëpërmjet një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN administroi nga ILDKPKI të gjitha deklaratat e depozituara nga gjyqtarët e gjykatave të Apelit deri në vitin 2015.
Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
Të dhënat e përfitura nga analiza tregojnë që 64 nga 81 gjyqtarë të Apelit në Republikën e Shqipërisë, ose 79 %, nuk e justifikojnë pasurinë në një ose më shumë vite përgjatë karrierës së tyre në sistemin e drejtësisë.
Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një kohë kur klasa politike shqiptare po diskuton një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë në mënyrë radikale procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë.
Për të arritur qëllim e çrrënjosjes së korrupsionit dhe influencës politike në gjyqësor, reforma parashikon ngritjen e një numri institucionesh të reja. Një nga institucionet kyç që do të ngrihet, në qoftëse reforma miratohet është dhe Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit –institucione të përkohshme të cilat do të qëndrojnë në këmbë për 9 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe do të ketë si qëllim marrjen në sitë të korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të ngrihet edhe një mision ndërkombëtar monitorimi, i cili do të përbëhet nga vëzhgues ndërkombëtarë. Gjatë periudhës së funksionimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tre drejtime – njëri prej të cilëve është edhe vlerësimi i pasurisë.
Pas zbardhjes së të dhënave mbi numrin e lartë të gjyqtarëve, pasuria e të cilëve ngre ‘flamuj të kuq’ gjatë kontrollit artimetik dhe logjik i njohur si KAL në zhargonin e profesionistëve të fushës, BIRN kërkoi një koment mbi integritetin e njerëzve të drejtësisë tek Unioni i Gjyqtarëve. Kryetari i saj u shpreh se e kishte të pamundur të përgjigjej për shkak se ndodhej në një trajnim jashtë vendit.
Pasuria e pajustifikuar e gjyqtarëve të Apelit
ILDKPKI është një institucion i pavarur buxhetor, i themeluar në vitin 2003, dhe merret me administrimin dhe kontrollin e deklarimit të pasurisë, të detyrimeve financiare dhe parandalimin e konfliktit të interesave për subjektet e parashikuara në ligjin nr. 9049.
Qëllimi i funksionimit të ILDKPKI-së konsisiton në parandalimin e krijimit të pasurive në mënyrë të kundraligjshme në rradhët e zyrtarëve dhe nëpunësve publikë, si dhe për të parandaluar konfliktin e interesit në administratën publike.
Ligji për Deklarimin e Pasurisë përcakton qartë në nenin 3 të tij që të zgjedhurit dhe nëpunësit e administratës mbartin detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private pranë ILDKPKI.
Sipas raportit vjetor të viti 2014 të ILDKPKI janë 4978 subjekte në funksion, të cilët deklarojnë në mënyrë periodike pasurinë dhe interesat private. Deklarimi përfshin pasurinë e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es dhe fëmijëve në moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të subjektit.
Nga ky numër i përgjithshëm subjektesh, 387 ose 7.8 % e deklaruesve janë gjyqtarë në gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë.
Nëpërmjet një kërkese të drejte informimi BIRN mori nga ILDKPKI 959 deklarata vjetore të gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, të administruara nga viti 2004 deri në vitin 2014.
Duke eleminuar vitin fillestar të deklarimit, me ndihmën e tre ekspertëve të pavarur, BIRN i nënshtroi 879 deklaratat vjetore të gjykatësve të Apelit në kontrollin aritmetik dhe logjik.
Në bazë të nenit 25 të ligjit nr.9049 i ndryshuar, “Kontrolli aritmetik dhe logjik kryhet për çdo deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurive nga burime të deklaruara”.
Ky proces kontrolli, kryhet brenda vitit kalendarik të dorëzimit të deklaratave të interesave private të zyrtarëve dhe personave të lidhur me ta në ILDKPKI.”
Ky kontroll dokumentohet në Fletën e Kontrollit, në të cilin janë pasqyruar të dhënat e vetëdeklaruara nga zyrtari dhe familjarët e tij, të organizuara në dy pasqyra financiare: asetet neto dhe të ardhurat neto. Pas plotësimit dhe përpunimit të këtyre të dhënave, gjenerohet një informacion lidhur me faktin nëse: të ardhurat neto të periudhës justifikojnë apo jo ndryshimin e aseteve neto për periudhën deklaruese.
Nga përmbledhja e të dhënave të kontrollit aritmetik dhe logjik të secilës deklaratë, rezulton se nga 879 deklarata të plotësuara nga gjyqtarët e Apelit nga viti 2004 deri në vitin 2014, 131 ose 14.9% e tyre rezultojnë me probleme.
Nga 81 gjyqtarë Apeli që ka gjithsej Shqipëria, 64 prej tyre ose 79% e totalit rezultojnë se kanë pasur të paktën në një vit të karrierës së tyre diferenca të pajustifikuara midis pasurisë së krijuar dhe burimeve financiare të deklaruara.
Nga numri i gjyqtarëve që kanë rezultuar me probleme, bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara, rezulton se 16% e tyre në 10 vite deklarim të marra në shqyrtim kanë 4-6 deklarata me probleme; 31% e tyre kanë 2-3 deklarata me probleme dhe 53% e tyre kanë vetëm një deklaratë me probleme.
Në total, shuma e pajustifikuar e përmbledhur tek 64 gjyqtarët e Apelit me probleme është 332,426,031 lekë ose rreth 2.7 milionë USD.
Shpenzimet konsiderohen një e dhënë personale dhe klasifikohen në kategorinë e të dhënave konfidenciale në formularin e vetëdeklarimit. Për këtë arsye, ILDKPKI përdor minimumin jetik vjetor për një familje, siç përllogaritet nga Instituti i Statistikave, INSTAT në praktikën e saj të kontrollit aritmetik dhe logjik.
Nëse shpenzimeve të gjyqtarëve u shtohet edhe kosto e minimumit jetik vjetor sipas INSTAT, numri total i deklaratave vjetore me probleme në periudhën 2004-2014, arrin në 189 deklarata nga 879 ose 21.5 % të totalit. Si pasojë, vlera në total e pasurisë së pajustifikuar rritet.
Me shtimin në përllogaritje të minimumit jetik, një praktitë e përdoruar nga ILDKPKI gjatë kontrollit aritmetik dhe logjik, numri i gjyqtarëve me probleme arrin në 68 nga totali prej 81 gjyqtarësh Apeli.
Nga të gjithë gjyqtarët e Apelit, deklaratat e të cilëve janë të identifikuara me probleme, ILDKPI gjatë dekadës së fundit ka paditur në prokurori vetëm tre prej tyre; gjyqtarët Gjin Gjoni, Alaudin Malaj dhe Petrit Aliaj.
Nga kontrolli aritmetik dhe logjik i ndërmarrë nga BIRN, rezulon se anëtari i KLD-së Gjin Gjoni ka një deklaratë vjetore me probleme, ku diferenca midis pasurisë së krijuar dhe burimeve financiare të deklaruara është në vlerë negative. Në qoftë se shpenzimet për minimumin jetik shtohen, rezulton që Gjoni ka 3 deklarata vjetore me probleme.
Ish kreu i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj ka 4 deklarata vjetore me probleme, dhe në qoftë se shtohet minimumi jetik, numri i deklaratave me probleme shkon në 5. Ndërkohë, gjyqtari i i Gjykatës së Apelit Vlorë, Petrit Aliaj ka 4 deklarata me probleme dhe kjo shifër mbetet e njëjtë edhe nëse shtohet minimumi jetik.
Paditë e bëra nga ILDKPKI kundër këtyre gjyqtarëve janë hedhur poshtë nga gjykatat dhe prokuroria, sipas të cilave në të tre rastet, akuza për fshehje pasurie ose për pastrim parash nuk qëndron.
Përballja për reformën në drejtësi
Publikimi i këtyre të dhënave mbi pasurinë e gjyqtarëve vjen në një kohë kur procesi i diskutimeve dhe miratimit i Reformës në Drejtësi ka arritur një pikë kulmore.
Të martën, Komisioni i Posaçëm Parlamentar i ngritur për reformën miratoi nen për nen paketën e ndryshimeve kushtetuese, të cilat së shpejti pritet të paraqiten në seancë plenare.
Megjithatë, votimi nen për nen i reformës nuk u mbështet nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila kërkon që instucionet e reja që rrjedhin nga reforma të kenë në përbërjen e tyre vende të rezervuara për partitë politike.
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha u takuan për tre orë më 6 qershor, pa arritur t’i sheshojnë diferencat midis tyre mbi reformën. Një takim të dielën midis Bashës dhe kreut të parlamentit, Ilir Meta gjithashtu nuk prodhoi rezultate.
Sipas një sondazhi të kryer në periudhën janar-shkurt 2016 nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, IDRA, 91% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin miratimin e Reformës në Drejtësi. Të dhënat e sondazhit tregojnë që mbështetja për këtë reformë është e gjerë, pavarësisht pozicionimit politik- të majtë, qendër, dhe të djathtë.
Mbështetës të miratimit të Reformës janë dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, si Bashkimi Europian, SHBA dhe Gjermania – të cilat nënvizojnë që miratimi i saj brenda qershorit është kyç për të ardhmen e procesit të integrimit të vendit në BE.
Të mërkurën, një deklaratë zyrtare e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë theksoi përgjegjësinë individuale të deputetëve për reformën e gjyqësorit.
“Të gjithë anëtarët e parlamentit mbajnë përgjegjësi të veçantë ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve të Shqipërisë të cilët kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv,” lexohet në deklaratë.
Deklarata e BE-së gjithashtu shprehu keqardhje për paaftësinë e liderëve politikë për të gjetur konsensus për reformën.
Shtetet e Bashkuara fajësuan në mënyrë të qartë opozitën në një deklaratë të lëshuar nga ambasada në Tiranë: “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por në fund të fundit opozita nuk bëri të njëjtën gjë”.
Deklarata vazhdoi: ”Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.
Një shtysë për miratimin e reformës erdhi të martën edhe nga ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeir, i cili gjatë një vizitë në Tiranë ku u takua me liderët kryesorë politikë, nënvizoi se ky është një moment kyç për Shqipërinë në rrugën e integrimit Europian.
“Opozita të bëjë hapat e veta për të miratuar një draft që është produkt i një bashkëpunimi me BE dhe Shtetet e Bashkuara e ku Gjermania ka patur qysh në fillim një vëmendje të veçantë,” tha Steinmeier.
“Jemi në një pikë ku Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë, një produkt që nuk është vetëm shqiptar, por edhe me ekspertë ndërkombëtarë. Shpresoj që forcat politike të gjejnë forcat për të arritur konsensusin, pasi është më e mira për qytetarët shqiptarë që kjo reformë të miratohet,” përfundoi ai. Marë nga BIRN