Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën marrëveshjen me BERZH-in për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri.
Marrëveshja me vlerë 1.1 milionë euro do të përdoret për rigjallërimin e hekurudhave shqiptare dhe zhvillimin e transportit hekurudhor, duke përmirësuar infrastrukturën hekurudhore dhe operacionet, si dhe garantimin e sigurisë dhe ndërveprueshmërisë.
Linja hekurudhore nga Durrësi në Tiranë është 37 km e gjatë dhe është ndërtuar në vitin 1949. Kjo linjë është duke shërbyer për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.
Linja Durrës – Tiranë është linja me volumet e trafikut më të larta për hekurudhat, pasi ajo lidh dy qytetet më të mëdha në vend (kryeqytetin-Tiranën dhe Durrësin) dhe siguron kalimin për në portin më të madh të mallrave, në Durrës.