Numri i qenve të rrugës në Tiranë është reduktuar me 1500 për shkak të vaksinimit dhe sterilizimit nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.
Këtë deklaratë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e bëri gjatë hapjes së konferencës botërore të shëndetit të kafshëve të rrugës, e cila organizohet në Tiranë.
“Për herë të parë pas 5 vitesh nuk po rritet popullsia e qenve të rrugës. Kjo do të thotë që puna e shkëlqyer që po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit per kafshët e rrugës, që të vaksinohen dhe pastaj sterilizohen, ka reduktuar me 1500 numrin e qenve në Tiranë’, tha Veliaj.
Veliaj dha sqarime në lidhje me këtë projekt duke nënvizuar se ka një afat 5-vjeçar. “Ky është një projekt afatgjatë. Ne kemi një target 5-vjeçar që duam të arrijmë për të reduktuar maksimalisht këtë situatë. Por edhe këtu mendoj se do kemi mirëkuptimin e qytetarëve pas qendrës në Kombinat, do të shohim mundësinë sesi në partneritet me klinika të tjera veterinare mund të delegojmë edhe një pjesë të kësaj pune për të qenë më efektivë”,tha Veliaj.
Veliaj tha po ashtu se duhen bërë dallime mes kompetencave të bashkisë dhe qeverisë qëndrore, ku sipas tij, bashkia është përgjegjëse vetëm për kafshët e rrugëve dhe jo për të githa situatat. (java / r.a)