Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI, Ilir Meta deklaroi përmes një konference për shtyp se LSI ka qenë dhe është pro miratimit të Reformës në Drejtësi sipas rekomandimeve të Venecias. Meta theksoi se LSI do ta votojë Reformën edhe sikur konsensusit mes PS dhe PD të dështojnë për shkak të kësaj të fundit.
“LSI që pas zgjedhjeve të qe4rshorit 2013 ka qenë e bindur për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Ne kemi votuar në parim për paketën kushtetuese. Në gjykimin tim, LSI ka qenë dhe mbetet aktori më koherent për të gjithë procesin e reformës nga fillimi i saj. Ne kemi theksuar që në fillim se baza e konsensusit do të ishte komisioni i Venecias, pasi dihet se politika jonë për fat të keq e ka patur të vështirë të arrijë konsensuse të gjera dhe komplekse. Për fat të mirë, mazhoranca dhe opozita kanë pranuar Venecian si garant. LSI ka deklaruar se do ta votojë një reformë sipas standardeve edhe sikur të dështojë konsesusi për faj të opozitës” – tha kreu i LSI.
Meta tha se partia që ai kryeson, ka konstatuar se pas një pune të gjatë të palëve, konsensusi i plotë për paketën kushtetuese është arritur përveç një çështje të vetme, te ngritur me insistim nga opozita. Sipas tij, në këto orë që kanë mbetur, LSI insiston për vijimin e dialogut.
Ilir Meta theksoi se nuk ka arsye te mendohet per zgjedhje te parakoheshme. Sipas Metes, ai qe ka arsyet e veta per ta kerkuar nje gje te tille mund ta kerkoje qe sot pa gjetur reformen si preteks.
(java / r.a)