Humbja me Zvicrën nuk i ul vlerat e Kombëtares. Të gjithë vlerësuan paraqitjen krenare, me grintë dhe pa u dorëzuar për asnjë moment të Shqipërisë. Paraqitja e kuqezinjve u vlerësua edhe nga Gianni De Biasi, që kërkon ta hedhë sa më shpejt pas shpine ndeshjen në Lens. Edhe në mikrofonët e Sky Sports, trajneri vazhdon të këmbëngulë se paraqitja e skuadrës ishte pozitive.
Gianni De Biasi: “Jemi të zhgënjyer për rezultatin në debutim, sepse megjithë inferioritetin numerik në ndeshjen në Lens luajtëm mirë. Krijuam dy raste të pastra për gol, mbi të gjitha në minutat e fundit me Gashin. Humbja na la shije të hidhur, por në fushë skuadra tregoi më tepër aspekte pozitive sesa negative. Përjetuam një atmosferë të zjarrtë dhe shumë tifozë që në mbështetën dhe kjo shtoi peshën dhe tensionin te skuadra. Edhe pse me 10 lojtarë, në pjesën e dytë ekipi luajti mirë, duke provuar të ndërtonte lojë dhe krijoi raste për gol. Kjo ishte përgjigja më e mirë.”
Më tej, Gianni De Biasi përqendrohet te sfida e radhës, përballë Francës. Rezultati i ndeshjes me blutë mund të jetë përcaktues për ecurinë e Shqipërisë. Megjithatë, De Biasi ka besim.
Gianni De Biasi: “Hera-herës në futboll ndodhin surpriza. Një vit më parë e mposhtëm Francën në Shqipëri. Përballë tyre kemi luajtur gjithmonë mirë, duke barazuar edhe në Rennes në vitin 2014. Këtë herë do të jetë ndryshe, por pa frikë, do të luajmë shanset tona”.
SS/d.i.