Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier vjen sot në Tiranë në një vizitë zyrtare. Kryediplomati gjerman do të qendrojë vetëm 6 orë në kryeqytetin shqiptar dhe sipas burimeve, axhenda e tij parashikon vetëm tre takime. Fillimisht Shtajnmajer do pritet nga homologu i tij, Ditmir Bushati, rreth orës 10:30 dhe pas takimit, dy ministrat do të dalin edhe në një konferencë për shtyp.
Temë kryesore e takimit pritet të jenë bashkëpunimi bilateral Shqipëri-Gjermani, zhvillimet në rajon por edhe reforma në drejtësi. Më pas ministri i Jashtëm gjerman do të takohet në selinë e qeverisë me kryeministrin, Edi Rama si edhe mandej do të niset drejt selisë blu, ku do të zhvillojë një bashkëbisedim me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Kjo është hera e parë që Steimeier vjen në Tiranë dhe vizita e tij ndodh në një kohë kur politika ende nuk ka gjetur konsensusin për miratimin e reformës në drejtësi. Zyra e kancelares gjermane Angela Merkel u angazhua drejtpërdrejt pak ditë më parë për gjetjen e një konsensusi mes palëve për “drejtësinë” dhe u bë e ditur se lideri i opozitës shqiptare, Basha pati edhe një telefonatë nga Berlini zyrtar pak orë para takimit me kryeministrin Rama.
Një fakt të tillë Basha e pohoi edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur pas takimit me shefin e qeverisë, ku ndër të tjera deklaroi se “formulën e vendeve të rezervuara e ka propozuar vetë eksperti i OPDAT-it në nëntor. Ne kemi qenë të qartë në këtë proces, ne kemi kërkuar konsensus. Si Nuland, edhe këshilltari i Merkel me të cilin fola në tel janë të qartë. Këtë formulë e ka propozuar Rama, e ka konfirmuar “Venecia”, dhe ne po kërkojmë atë për të cilën është rënë dakord”, u shpreh Basha.
BW/d.i.