Abuzimi verbal dhe i vazhdueshëm në fëmijëri mund të lërë gjurmë të përhershme te fëmijët duke i shkaktuar atyre efekte që janë po aq të këqija sa dhuna fizike, thotë një studim i ri.
Fyerjet, ofendimet, të bërtiturat, fajësimi, kërcënimi, vënia në lojë, kritikat ose poshtërimi mund të jenë po aq të dëmshme sa edhe abuzimi fizik, seksual apo dëshmimi i abuzimit fizik në shtëpi, sipas një raporti të letrës së Shëndetit Mendor nga Universiteti i Harvardit.
Raporti sugjeron se, kur abuzimi verbal është i vazhdueshëm dhe i rëndë, ai krijon një rrezik të çrregullimit të stresit post-traumatik, i njëjti lloj i kolapsit psikologjik që shpesh përjetohet nga trupat që shkojnë në luftë.
Kërkimi në të cilin është bazuar raporti thekson se fëmijët që janë shënjestër e shfaqjeve të shpeshta të keqtrajtimit verbal kanë rreziqe më të larta për agresion fizik, shkelje të ligjit dhe probleme sociale krahasuar me fëmijët e tjerë.
Shumë studime e lidhin abuzimin fizik dhe seksual me efekte që zgjasin në tru dhe në sjellje, por keqtrajtimi emocional nuk ka marrë të njëjtën vëmendje. “Ekspozimi i agresionit verbal ka marrë pak vëmendje si një formë e veçantë e abuzimit”, thekson Martin Teicher, profesor i psikiatrisë në spitalin McLean, i lidhur me Harvardin.
“Kjo pavarësisht faktit se një studim kombëtar ka zbuluar se 63 për qind e prindërve amerikanë raportonin një ose më shumë shembuj të agresionit verbal, që ishin bërë kundrejt fëmijës së tyre”.
Kërkime të tjera e kanë lidhur abuzimin verbal në fëmijëri me një rrezik ndjeshëm më të lartë të zhvillimit të personaliteteve të paqëndrueshme dhe të zemëruara, me sjelljen narcistike, çrregullimet obsesive-kompulsive dhe paranojën.
“Abuzimi verbal gjithashtu mund të ketë pasoja më të gjata sesa format e tjera të abuzimit, sepse shpesh është më i vazhdueshëm”, thotë Teicher. “Dhe në kombinim me abuzimin fizik dhe neglizhencën ai mund të prodhojë një rezultat të rëndë. Megjithatë, institucionet e mbrojtjes së fëmijëve, doktorët dhe avokatët shqetësohen më tepër rreth ndikimit dhe parandalimit të dhunës dhe abuzimit fizik e seksual”.
Kjo situatë e nxiti Teicher dhe tre kolegët e tij —Jacqueline Samson, Ann Polcari dhe Cynthia McGreenery — të bëjnë një studim ku krahasojnë ndikimin e abuzimit verbal në prani ose jo të abuzimit fizik dhe seksual, si dhe ekspozimit ndaj dhunës në familje.
Kërkuesit rekrutuan 554 të rinj të moshës 18 deri në 22 vjeç, që iu përgjigjën kërkesës. Rreth gjysma e tyre ishin gra; shumica të bardha. Ato përmbushën pyetësorë rreth fëmijërive jo të lumtura dhe abuzimit verbal.
Shembulli tipik i përgjigjeve ishte Angela, një 18-vjeçare që sapo kishte filluar kolegjin. “Kjo është hera e parë që e mendoj në këto vite”, tha ajo, “dhe hera e parë që flas për këtë”.
Abuzimi verbal, kanë zbuluar kërkuesit, kishte një ndikim po aq të madh sa ai fizik apo keqtrajtimi seksual jo nga familja. Agresioni verbal vetëm rezulton të jetë një faktor i fortë i rrezikut të prekjes nga depresioni, armiqësia, zemërimi dhe çrregullimet e tjera të mossocializimit.
Zbulimet thonë se ekziston një mundësi e madhe që ekspozimi ndaj agresionit verbal të mund të ndikojë në zhvillimin e disa rajoneve vulnerabile të trurit tek individët që preken. Pavarësisht statusit të shëndetit të tyre mendor, të rinjtë që janë keqtrajtuar më parë, shfaqën reduktime në vëllim me rreth 6 për qind në dy pjesë të hipokampusit dhe 4 për qind reduktime në rajonet e tjera të trurit krahasuar me ata që nuk ishin abuzuar.
Këtu studimi fillon të lidhet me kërkime të mëparshme. Të dhënat e mëparshme kanë sugjeruar se nivelet e larta të hormonit të stresit që lidhet me keqtrajtimin e fëmijëve mund të dëmtojë hipokampusin dhe me sa duket prek aftësinë e njerëzve për t’u përballur me stresin më vonë në jetë.
Me fjalë të tjera, stresi i parakohshëm e bën trurin më pak rezistent ndaj efekteve të stresit të mëvonshëm.
Megjithatë, ka shpresë. Truri është shumë “fleksibël” në aftësinë e vet për të ndryshuar në përgjigje të eksperiencave, veçanërisht ndaj eksperiencave që përsëriten. Truri është edhe më elasitik gjatë fëmijërisë,shkruan Shqip.
Identifikimi i hershëm i problemeve agresive dhe ndërhyrja për t’i zgjidhur ato te fëmijët ka aftësinë të modifikojë dhe ndikojë në zhvillimin e fëmijëve në mënyra shumë pozitive.
Elementët e ndërhyrjes së suksesshme duhet të udhëhiqen nga parimet themelore të zhvillimit të trurit. Truri ndryshon në një metodë të varur nga përdorimi. Ndërhyrjet terapeutike që rikthejnë ndjesinë e sigurisë dhe kontrollit janë shumë të rëndësishme për fëmijët e traumatizuar.
Pasojat e mundshme përfshijnë lidhje të pasigurta me të tjerët, ndjesi negative për veten në lidhje me të tjerët, funksionim i dobët social dhe vetëvlerësim të ulët.
Megjithatë, studime të papublikuara nga Teich tregojnë se ekspozimi ndaj dhunës verbale prek edhe disa zona të caktuara të trurit. Këto zona janë të lidhura me ndryshimet në inteligjencën verbale, por edhe me simptoma të tjera si depresioni, ankthi dhe mungesa e shoqërizimit, shkruan shqip.
Pasojat e dhunës verbale janë më të këqija se dëshmimi i dhunës në familje. Nga 54 personat e studiuar që kishin dëshmuar dhunë në familje, 35 i kishin parë nënat të kërcënoheshin ose të sulmoheshin, 23 kishin dëshmuar keqtrajtimin e motrave ose vëllezërve, ku 13 nga këto sulme kishin qenë rrahje të rënda.
Është e mundur, thekson skuadra, që ekspozimi ndaj abuzimit emocional, fizik dhe seksual është më i madh te familjet me sëmundje mendore. Faktorët gjenetikë mund të kontribuojnë në shtimin e abuzimit brenda familjes. Probleme të ngjashme u gjendën edhe te ata që ishin pak të arsimuar./ a.k