Zbardhet takimi i kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, me kreun e opozitës, Lulzim Basha, tryezë në të cilën është diskutuar rreth zgjidhjes së ngërçit të Reformës në Drejtësi.
Takimi ka zgjatur rreth dy orë në ambientet e hotel “Rogner”, në Tiranë. Kryetari i Parlamentit ka mbërritur i pari në takim, rreth orës 11:00, ai u shoqërua nga shefi i kabinetit të Kuvendit, Sokol Dervishaj.
Ndërkohë që Lulzim Basha ka mbërritur 8 minuta me vonesë në takim, së bashku me nënkryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Burime pranë takimit bënë të ditur për “Panorama” se kreu i opozitës i ka paraqitur Metës variantin për të cilin PD-ja pranon të aplikohet për emërimin e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.
Mësohet se Basha është shprehur që opozita është dakord me pjesën tjetër të amendamenteve kushtetuese, por ka kërkuar vetëm aplikimin e formulës së “vendeve të rezervuara” që i është propozuar nga EURALIUS dhe Komisioni i Venecias në Opinionin Përfundimtar në rekomandimin nr. 88.
Gjatë takimit, kreu i Parlamentit mësohet se nuk ka shprehur një qëndrim për formulën e emërimeve në institucionet e drejtësisë, por ka marrë përsipër të luajë rolin e negociatorit me Kryeministrin Rama, që të arrihet dakordësia për reformën e shumëpritur. Këtë qëndrim Meta e ka shprehur dhe në konferencën për shtyp, duke thënë se u njoh për herë të parë me shqetësimin konkret të opozitës për Reformën në Drejtësi.
“Z. Basha më shprehu angazhimin e opozitës për miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi dhe më njohu për këtë qëllim me të vetmen çështje parimore që sipas opozitës ndan palët në miratimin e draftit kushtetues, atë të formulës së zgjedhjes së institucioneve të reja, e cila, sipas qëndrimit të opozitës, duhet bërë në përputhje me rekomandimin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, u shpreh dje Meta gjatë konferencës për shtyp.
Ai ka sqaruar se: “Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, mbetem i hapur për dialog me të gjitha palët, me qëllim që të miratojmë sa më parë, me koherencë dhe transparencë, reformën më themelore për shtetin e së drejtës dhe të ardhmes së Shqipërisë europiane”
(panorama / r.a)