Ata që i lexojnë me kujdes shkrimet e Sali Berishës në faqen e tij facebook, e dinë mirë se qytetari dixhital është në fakt shpifësi dixhital, një personazh i sajuar nga ish Kryeministri për të justifikuar të gjithë baltosjen, gënjeshtrat dhe akuzat që çdo ditë nuk përton t’i shkruajë online. Janë të shumta herët kur Sali Berisha ka dale bllof, pasi foto apo shkrime, apo më saktë “faktet” si parapelqen ai t’i quajë, pas verifikimeve të bëra kanë rezultuar mashtrime të rëndomta. Jo me larg se disa ditë më parë, Sali Berisha pretendonte se kishte gjetur foto të plantacioneve me kanabis të Ministrit të Brendshem Saimir Tahiri, por media shumë shpejt e nxorri bllof ish Kryeministrin duke vërtetuar se fotoja e publikuar nga Berisha ishte një foto e vitit 1912 ne Rusi, atëhere kur edhe vete Berisha, sado i lashtë të duket, ende nuk kishte lindur.
Edhe sot Berisha nuk nguroi të hidhte helmin e tij. Këtë herë, në raport me transmetimin e ndeshjeve të futbollit nga platforma Digitalb dhe TopChannel, çka sipas ish Kryeministrit është faji i drejtperdrejtë i Kryeministrit Rama. Por le t’i themi gjërat siç janë në të vërtetë:
Së pari, Berisha e mban mend mirë se nuk është hera e parë që televizioni publik nuk fiton të drejtat për të transmetuar falas një kampionat futbolli. Pikërisht në vitin 2006, kur Kryeministër ishte vetë Berisha, TVSH nuk arriti dot të sigurojë të drejtat televizive për kampionatin botëror te futbollit, i cili u transmetua vetëm nga Top Channel.
Së dyti, nuk është as qeveria shqiptare, as televizioni publik shqiptar dhe as FSHF që vendos se cili televizion transmeton kampionatin. Janë organizatorët, e në këtë rast UEFA, ata që nëpërmjet një tenderi të hapur shpallin fituesit. Dhe në tenderin e organizuar për kampionatin europian të Francës, TVSH ka paraqitur ofertën e saj nëpërmjet EBU (European Broadcasting Union) dhe ka qenë pikërisht Unioni i Transmetuesve Europiane që nuk ka arritur të dalë fitues në këtë garë. Për pasojë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në një sërë vendesh të tjera mes të cileve edhe vende anëtare të Bashkimit Europian ai Spanja, Polonia apo Islanda, apo edhe vetë në vendin organizator Francë, nuk janë transmetuesit publikë ata që transmetojnë ndeshjet.
Së treti, çka është edhe më rëndësishmja, nuk është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë mundësi t’i ndjekin ndeshjet e kombëtares falas. Televizioni Top Channel transmeton çdo ndeshje të kombëtares sonë falas, në platformen dixhitale tokësore, satelitore por edhe përmes antenës se thjeshtë që e ka falas jetë e mot çdo shqiptar.
Dhe jo vetëm kaq, por ndryshe nga vendet e tjera si Italia ku në platformat falas transmetohet një total prej vetëm 24 ndeshjesh gjatë gjithë kampionatit, në rastin e Shqipërisë Top Channel transmeton plot 31 ndeshje falas. Pra një gjë është e sigurt: Shqipëria është vendi ku mund të ndiqet numri më i madh i ndeshjeve falas, krahasuar me çdo vend tjetër.
lexo.al