Elis Bakajn do të veshë përsëri një fanellë të kuqe, e treta në karrierën e tij me klubet, pas asaj të Partizanit dhe Dinamos së Bukureshtit. 28-vjecari, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Tiranës, ka firmosur për dy vjet me klubin kroat RNK Split.
Futbollisti që më parë ka luajtur edhe me Dinamon e Tiranës dhe Chernomorets Odesa në Ukrainë, u transferua në Kroaci si lojtar i lirë, pasi i përfundoi kontrata me bardheblutë.
Në prononcimin e parë si futbollist i RNK Splitit Bakaj u shpreh i kënaqur për aventurën e re, duke kujtuar se futbollistë të tjerë shqiptare kanë patur sukses në këtë klub. Ai shtoi se dëshiron t’ua shpërblejë me gola drejtuesve të klubit dhe tifozëve, duke ecur në gjurmët e Cikalleshit por edhe Rrahmanit, që sezonin e fundit ishte një ndër mbrojtësit më të spikatur në kampionatin kroat. Bakaj premtoi se falë eksperiencës së tij do të shënojë të paktën 10 gola në sezon dhe nëse nuk e arrin këtë shifër, do ta quante të dështuar eksperiencën te RNK Spliti.
Pas nënshkrimit të kontratës futbollisti është nisur menjëherë drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar më pas skuadrës të martën e ardhshme, në nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri.
D.I.