Prokuroria zbardhi dje të dhëna të reja në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre, e cila solli pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Prokuroria thotë se Haki Çako ka tentuar të ndikojë në hetimin e çështjes së pajisjes së përgjimeve.
Në datën 9 maj 2016, ai ka nënshkruar një shkresë ku jep sqarime në lidhje me aparaturën “IMSI Catcher”.
Kjo shkresë është koncize dhe konfirmon vetëm tri pika:
Në Republikën e Shqipërisë ka hyrë një aparaturë e quajtur “IMSI Catcher”, kjo aparaturë është sjellë nga specialistë të Policisë italiane në kuadër të bashkëpunimeve me Policinë shqiptare për trajnimin e kësaj të fundit dhe e fundit, pajisja shërben për të identifikuar numrat IMSE dhe nuk shërben për përgjim.
Sipas Prokurorisë, momenti i dytë është shkresa e datës 13 maj 2016, ku përcaktohet se gjatë gjithë kohës pajisja është disponuar nga partnerët italianë.
Ndërkohë më 17 maj 2016, Haki Çako ka dhënë deklarime rreth dijenisë së tij për këtë ngjarje, nga ku vërehet se ka shtuar faktin që kjo pajisje është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik.
“Gjithashtu, ai deklaron se Policia e Shtetit Shqiptar dhe partnerët e saj nuk ofrojnë trajnime në kundërshtim me Legjislacionin Shqiptar.
Në këtë deklarim, megjithëse kishin kaluar tetë ditë nga shkresa e tij e parë për sqarimin e situatës, ai shprehet se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes”, bën me dije Prokuroria.
Sipas saj, përcaktimi se aparatura është në gjendje të evidentojë dhe numrat IMEI të aparateve telefonike duhej ta përcaktonte që në shkresën e datës 09.05.2016, pasi administrimi i numrave IMEI është një pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit.
Panorama/d.i.