Banorët e zonës së tregut “Çam” dhe blloku i pallateve përreth tij kanë tashmë një insfrastrukturë të përmirësuar rrugore dhe urbane. Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e rrugëve “Shyqyri Bërxolli” dhe “Reshit Çollaku”, të cilat ndodhen në Njësinë Administrative Nr. 10, duke i ardhur në ndihmë jo vetëm qytetarëve që banojnë aty, por edhe tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë. Punimet e kryera u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër pamjen e re që ky rikualifikim urban i ka dhënë gjithë zonës. Ai u shpreh i kënaqur për punën e kryer, ndërsa theksoi se sot të gjithë zonës i është rritur vlera disafish.
“Për secilin që bën tregti apo banon në këtë zonë, prona e tij ka sot një vlerë më të lartë falë këtij investimi në kanalizime, në rrugë e ndriçim. Ky ishte investimi ynë i parë, për t’u siguruar që s’do të ndodhin më përmbytje dhe u kemi dhënë zgjidhje problemit të kanalizimeve, asfaltin e ndriçimin. Më vjen mirë që sot tregu çam ka një imazh të ri. Qytetarët të respektojnë vendet ku janë vendosur koshat e plehrave”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai bëri të ditur se një nga projektet e Bashkisë së Tiranës është që e gjithë rruga që përshkohet nga tregu çam të kthehet në pedonale dhe t’i shërbejë vetëm bizneseve. Për këtë, ai shtoi se rruga do të mbulohet nga një tendë unifikuese.
“Do të kalojmë në një fazë të dytë ku duam të vendosim një tendë në të gjithë rrugën që përshkohet nga tregu çam, edhe për faktin se në afatgjatë këtë rrugë duam ta kthejmë në pedonale, ku të gjithë ata që duan të marrin shërbime, të blejnë, të shesin, të kenë mundësi që të paktën gjatë orëve të ditës, nga mëngjesi deri në darkë vonë, zona të jetë totalisht pedonale. E di që kjo shkakton gjithmonë debat me ata që janë përdorues të makinave, por besoj se i shtohet shumë vlera zonës. Siç kemi parë jashtë, në zonat pedonale edhe vlera e shtëpive, banesave, bizneseve është më e lartë”, tha Veliaj. Ai shtoi se puna do të vijojë edhe me ndërhyrje në rrugë të tjera për t’i dhënë Njësisë 10 një pamje të re.
“Do të vijojmë me investimet edhe në rrugën e “Kavajës”, edhe në zonën rreth Postës së Shqipërisë, për t’u siguruar që kjo njësi, që është edhe në zemër të Tiranës, të marrë një fytyrë dinjitoze. Pra, të mos kemi vetëm një qendër të bukur dhe më pas, sa kalon qendrën, infrastruktura të jetë e amortizuar. Duam që të kemi të njëjtën cilësi si këtu në lagjet e brendshme të Tiranës, ashtu edhe në sheshin kryesor të qytetit. Nga fillimi i punimeve në sheshin “Skënderbej”, njësia 10 do të jetë përfituesja kryesore. Të kesh sheshin më të madh të shqiptarëve, pedonal, një zonë pedonale si tregu çam në lagjen tënde, besoj se është vetëm lajm i mirë për të gjithë ata që kanë një shtëpi apo biznes në këtë zonë”, shtoi Veliaj.
Këto dy rrugë ndodhen në një zonë tregtare dhe kanë dalje në rrugën “Myslym Shyri”, rrugën e “Kavajës” dhe bulevardin “Gjergj Fishta”. Projekti i zbatuar nga Bashkia Tiranë, konstaton në ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve si edhe të infrastrukturës mbitokësore dhe nëntokësore, përfshi kanalizimet, linjat rezervë për elektro-telefoni, ujësjellës etj. Gjithashtu, pjesë e punimeve ishte edhe pajisja me sinjalistikën e duhur si dhe vendosja e ndriçimit. (java / r.a)