Prezenca e ekipit shqiptar në qytezën e vogël franceze Perros Guirec është një ngjarje e madhe për banorët atje. Kryebashkiaku Erven Leon në një intervistë për Top Channel thotë se qyteti po ndjen anën pozitive të vendosjes në qendër të vëmendjes.
“Kjo do t’i bëjë shumë mirë turizmit”, thotë ai. Kryebashkiaku tregon se i ka kërkuar të gjithë lokaleve e dyqaneve në qytet të vendosin flamurin shqiptar dhe atë francez dhe shpreson që Shqipëria e Franca të barazojnë 1-1 e në qytetin e tij të shkojnë sa më shumë media.
TCH: E gjithë media europiane flet per Perros Guirec, çfarë do të thotë kjo për ju?
Erven Leon, kryebashkiak i Perros Guirec: Është një eveniment i madh dhe sigurisht që shumë media po flasin edhe për Perros Guirec. Është një shans që nuk të vjen shpesh.
TCH: Ju ndoshta keni dashur Anglinë apo Gjermaninë, por këtu erdhi Shqipëria.
Erven Leon: Jo, Shqipëria luan për herë të parë në Europian, është kënaqësi për ne.
TCH: Shoh disa flamuj shqiptarë, mos kjo është një gjë e organizuar nga bashkia?
Erven Leon: Po, ne i kemi kërkuar dyqaneve që të mbajnë flamurin shqiptar dhe francezin njëkohësisht.
TCH: A dinit ndonjë gjë rreth Shqipërisë para se kombëtarja jonë të vinte këtu?
Erven Leon: Jo, njoh vetëm Lorik Canën. Lojtarë të tjerë nuk njoh nga Shqipëria. Kam dëgjuar dhe kam parë nga foto të ndryshme për bukuritë e bregdetit tuaj.
TCH: A ka ndonjë efekt të dukshëm ardhja e kombëtares shqiptare këtu?
Erven Leon: Po kanë ardhur shumë media. Ata vijnë për të dhënë lajme nga kombëtarja shqiptare, por nuk mund të anashkalojnë qytetin tonë. Kjo do t’i bëjë mirë turizmit.
TCH: Si do të dalë ndeshja Francë-Shqipëri?
Erven Leon: Mendoj se rezultati do të dalë 1- 1. Shoh një rezultat të mirë në Marsejë dhe më pas shumë media këtu në Perros. Shpresoj dhe uroj që Franca dhe Shqipëria të kualifikohen për në turin tjetër.
TCH/d.i.