Vendimi i gjyqtarit Arjan Aliaj për pezullimin e drejtorit të policisë Haki Çako dhe reagimet e Kryeministrit Rama dhe Tahiri në lidhje me të, kanë sjellë dhe reagimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. KLD i ka cilësuar deklaratat e Ramës e Tahirit si një kërcënim i hapur ndaj gjyqësorit dhe jo vetëm gjyqtarit Aliaj. KLD shkruan se në një kohë ku jemi pranë miratimit të reformës në drejtësi, deklaratat “jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje”.
“Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje. Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem.- shkruhet ne njoftimin e KLD.
Deklarata:
Sot, Kryeministri z. Edi Rama, ashtu si dhe ministri i Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për “gabimin” e tij të vetëm se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kishte miratuar kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ky reagim, pasuar nga një fjalor i papërshtatshëm, kur artikulohet nga një Kryeministër dhe një ministër i Punëve të Brendshme, është një kërcënim i hapur ndaj, jo vetëm këtij gjyqtari që dje dha një vendim, por një kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore.
Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje. Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem.
Në respekt të opinionit publik, e informojmë se gjyqtari Arjan Aliaj, është rikthyer më parë në sistemin e drejtësisë, me vendimin e KLD nr. 256 datë 02.12.2009, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 11, datë 02.04.2003.
Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kërkon Kryeministrit të vendit, funksionarëve të tjerë të lartë ose jo, por dhe kujtdo, që ushtron apo parashikon të ushtrojë ndikim, presion apo kërcënim, ndaj gjyqtarëve a trupës gjyqësore në tërësi, ta ndalojë menjëherë, ndikimin, presionin apo kërcënimin, sepse kjo është dëmi më i madh që mund t’i bëhet themeleve të shtetit të së drejtës, dëmi më i madh që mund t’i bëhet aspiratave të vendit për intregrimin evropian.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave./ java/ a.k