Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, ka zhvilluar të mërkurën pasdite një pritje me rastin e largimit të ambasadorit Florian Rauning. Të pranishëm në këtë pritje ishin: Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, deputetë, politikanë, përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe medias
Ambasadori në ikje, Florian Rauning, e cilësoi OSBE si një nga mbështetësit tradicionalë të Shqipërisë në ndihmën e dhënë për ngritjen e institucioneve demokratike.
“Kjo është hera e 5-të që largohem nga Shqipëria dhe hera e dytë nga OSBE. Duke qenë një nga mbështetëset tradicionale të Shqipërisë, OSBE ka ndihmuar në ngritjen e institucioneve demokratike. OSBE nuk ofron as para dhe zgjidhje të shpejta. OSBE ka ofruar gjithmonë zgjidhje afatgjata. Pritshmëritë e popullit shqiptar janë shumë të larta, por sfida jonë është koha. OSBE do vazhdojë të jetë një partnere e Shqipërisë. Pata rastin të shijoja mirëpritjen nga Vermoshi në Konispol”, tha Rauning.
Më tej ai u shpreh se Shqipëria ka luajtur rol në jetën e tij. “Këtu gjeta bashkëshorten time. U jam mirënjohës të gjithëve”.
Ambasadori Raunig do të marrë postin e drejtuesit të Task Forcës për kryesinë austriake të radhës të OSBE-së. Raunig, diplomat karriere nga Austria, drejton Prezencën e OSBE-së në Shqipëri që prej tetorit 2013. Më parë, ai ka shërbyer si ambasador i Austrisë në Shqipëri (2009-2013) dhe në Malin e Zi (2007-2009).
Raunig iu bashkua Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për herë të parë në vitin 1997, pak kohë pas krijimit të saj. Më 1998, ai rihapi dhe drejtoi Zyrën Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë dhe themeloi, paralelisht, Zyrën Austriake të Bashkëpunimit në Shkup.
Më 2000-2002, ai ishte menaxher programi për zhvillimin vendor në Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë. Më 2002-2003, ai shërbeu për Ministrinë e Punëve të Jashtme austriake në Vjenë dhe Lubjanë. Më 2004, ai iu bashkua Agjencisë Austriake për Zhvillim, të sapokrijuar në Vjenë, përpara se të hapte, në fund të 2005-s, degën e ambasadës austriake të Beogradit në Podgoricë, e cila u bë ambasada austriake në Malin e Zi, pas pavarësisë së vendit.
Raunig studioi shkenca politike, filozofi dhe juridik në Universitetin e Vjenës. Përveç gjermanishtes, Raunig flet edhe shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhën malazeze. (java / r.a)