Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që rruga nacionale Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”.
Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden, është diskutuar në të gjitha nivelet dhe është një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, veçmas për SHBA-të.
Emri i Joseph Robinette “Beau” Biden III, jurist dhe politikan i njohur amerikan i cili për shkak të një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në kulm të karrierës, është i lidhur me Kosovën, me shtetndërtimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe me ndihmën e vazhdueshme që është dhënë nga SHBA-të për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Biden në vitin 2001, si jurist me përvojë të begatshme dhe i përgatitur gjithanshëm, kishte shprehur vullnetin e tij për të shërbyer në Kosovë.
Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE, konkretisht u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal juridik në Kosovë.
Beau Biden është biri i burrështetasit amerikan Joe Biden, zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mik i madh i Kosovës, i cili me punën e tij, bashkë me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama, në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuuar në shtetndërtimin e Kosovës, në zhvillimin e përgjithshëm, në forcimin dhe sigurinë e paqes në rajon.
Kjo e bën Familjen Biden mike të vërtetë dhe të përhershme të Kosovës, referoi Koha. (b.an)