Sonte në Zululand-in e Mustafa Nanos ishte i ftuar gazetari Mero Baze. Reforma në Drejtësi dhe ndëshkimi i politikanëve të korruptuar ishte biseda mes tyre.
Baze tha se për politikanët e korruptuar do të ketë tym të zi. “Nuk besoj të ketë tym të bardhë për reformën por tym të zi për politikanët do të ketë”, tha ai në Zululand.
Por sa ju intereson politikanëve tanë drejtësia dhe reforma? Baze tha se opozitës nuk i intereson por nuk iu intereson as ministrave të kabintetit Rama. “Këta të PS-së për namuz nuk flasin dhe janë të detyruar ta pranojnë, por jam i sigurt që shumë ministra të Ramës kanë të njëjtën ndjesi frike e pasigurie nga ajo që po ndodh”, tha Baze.
Por nëse nesër do të kemi një Reformë në Drejtësi të miratuar, a e ka kapur Rama drejtësinë? Baze thotë se Rama është i parrezikshëm për të kapur sistemin. “Edi Rama është i papërgjegjshëm në raport me zgjedhjet që i takojnë atij. Rama nuk kontrollon vendet të cilat ia ofron sistemi është njëri i pavëmëndshëm, sipërfaqësor dhe në këtë pikë është i parrezikshëm për të kapur sistemin. Njerëzit rreth Ramës, por brenda qeverisë mund të kenë vëmëndje të madhe, por nuk kemi një lider që investigohet seriozisht për të kapur sistemin. Rama kur nxehet merr gjyqtarin në tel dhe e shan, kaq mund të bëjë nuk e ka fare strukturën mendore të Berishës në këtë pikë”, tha Baze. (tema / r.a)