Vëllezërit Valon e Veton Berisha nuk premtojnë se do të vazhdojnë të luajnë për përfaqësuesen e Norvegjisë. Dy futbollistët kosovarë kanë thënë se vendimin nëse do të vazhdojnë të luajnë për Norvegjinë apo do të zgjedhin Kosovën, do ta marrin bashkë.
“Unë nuk mund të premtoj asgjë”, ka thënë Veton Berisha që shënoi një gol në humbjen e Norvegjisë ndaj Belgjikës me rezultatin 3:2, në ndeshjen miqësore e zhvilluar të dielën, shkruan “Koha Ditore”.
“Unë kam menduar gjatë në lidhje me zgjedhjen time. Unë gjithmonë kam kërkuar që të luaj për Norvegjinë”, ka theksuar Berisha.
Por, vëllai i madh i Vetonit, Valoni, ka konfirmuar se nuk ka marrë një vendim të prerë nëse do të luajnë për Norvegjinë ose Kosovën në të ardhmen.
“Ne nuk kemi marrë një vendim. Ne natyrisht se do ta marrim një vendim së bashku nëse do të luajmë për Norvegjinë ose për Kosovën”, ka thënë Berisha për “tv2.no” . (b.an)