Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Kotzias, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti i Republikës përshëndeti këtë vizitë të dytë të Ministrit Kotzias në Shqipëri brenda një viti, duke e vlerësuar si një dëshmi inkurajuese të marrëdhënieve shumëdimensionale e dinamike të fqinjësisë së mirë. Kreu i Shtetit e konsideroi këtë takim si vazhdim i shprehjes së marrëdhënieve të natyrshme mes dy vendeve, të cilat i bashkojnë interesa me karakter strategjik.
Në këtë takim, Presidenti Nishani gjeti edhe njëherë rastin për të shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për popullin dhe shtetin grek për mikpritjen e ndihmën që iu dhanë qindra mijëra emigrantëve nga Shqipëria që nga fillimi i viteve ‘90 e në vijim.
Kreu i Shtetit theksoi se falë traditës historike të bashkëpunimit të dy vendet duhet që me vullnet dhe angazhim të përbashkët t’i forcojnë më tej raportet e besimit, si dhe t’i adresojnë të gjitha çështjet dypalëshe pa paragjykime, në funksion të realiteteve dhe nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha aspektet.
Në takim Presidenti Nishani bisedoi lidhur me çështjet e agjendës dypalëshe, përfshirë bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, abrogimin e ligjit të luftës, çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, çështjet e komunitetit çam, bashkëpunimin rajonal, etj.
Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një impakt të madh edhe në kuadrin e zhvillimeve rajonale, pasi si dy prej fqinjëve më të vjetër në rajon, kanë një rol për të luajtur dhe kontribut për të dhënë në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Në këtë këndvështrim, Presidenti Nishani u shpreh se është shumë e nevojshme njohja dhe mbështetja e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se beson se zëri i Greqisë për stabilitetin dhe paqen në rajon mbetet një zë shumë i rëndësishëm.
Gjatë takimit u bisedua edhe për situatën e refugjatëve të ardhur në Greqi nga zonat në konflikt të Lindjes së Mesme, duke evidentuar bashkëpunimin e mirë dypalësh dhe me Bashkimin Evropian në këtë aspekt./a.m.