Pagesat bankare në distancë po njohin një rritje të shpejtë vit pas viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2015 numri i transaksioneve bankare përmes internetit apo telefonit celular arriti në 1.4 milionë, në rritje me 12% krahasuar me vitin 2014.
Ndërkohë, në volum rritja ishte edhe më e lartë. Për vitin e kaluar vlera totale e pagesave në distancë arriti në afro 283 miliardë lekë, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2014.
Shifrat tregojnë se modernizimi i shërbimeve bankare dhe përdorimi në rritje i teknologjive në shoqërinë shqiptare po ndihmon në përhapjen e shërbimeve të bankingut në distancë, që njohu një rritje të vrullshme gjatë vitit 2015. Pjesën dërrmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë transaksionet përmes internet banking, me rreth 65% të totalit.
Ndërkohë, numri i llogarive bankare të lidhura me internet banking ka arritur 153 mijë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, përdorimi i internet banking gjatë vitit 2015 u rrit me 5.5%. Përdorimi i internet banking është rritur për të tetin vit radhazi, ndërsa rreth 86% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve. (javanews.al / r.a)