Vendi për Ambasadën e Shqipërisë ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve mes pozitës e opozitës në kryeqytet, derisa ka shtuar tensionet mes tyre.
Të martën është thirrur mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal nga kryetari Shpend Ahmeti, ku ishte në rend të ditës propozimi për ndërrimin e lokacionit për ndërtimin e Ambasadës, porse ka dështuar në mungesë të kuorumit.
Komuna e Prishtinës nuk ka arritur që para mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, të ndajë një parcelë për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë në kryeqytet.
Hapësira që aktualisht e shfrytëzon “Hortikultura” ka shkaktuar sërish mosmarrëveshje mes pozitës e opozitës në kryeqytet. Në bazë të një vendimi të KK të Prishtinës në vitin 2007, kjo tokë ishte ndarë për ndërtimin e selisë së LDK’së, por të martën është thirrur mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal që kjo hapësirë të jepet në shfrytëzim për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë.
Por, partitë opozitare, PDK e LDK, e bojkotuan seancën, duke e cilësuar thirrjen e saj si të paligjshme dhe tendencioze.
Lirak Çelaj thotë se thirrja e seancës ka qenë thjesht për të krijuar konflikte dhe jo për të zgjidhur ndonjë problem.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk ka çka të thotë më shumë pos reagimit të tyre zyrtar.
Në vendimin e para një viti të Asamblesë Komunale, një parcelë prej 2000 metra katrorë i ishte ndarë Ambasadës në lagjen “Sofalia”. (b.an)