Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Damian Gjiknuri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Blerand Stavileci nënshkruan sot në Prishtinë një memorandum bashkëpunimi.
Ky Memorandum ka objekt bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, nëpërmjet Agjencive përgjegjëse të secilit vend, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimin e kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.
Palët bien dakord se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimi i kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta do të realizohet në Republikën e Kosovës.
“Është plotësisht i mundshëm, për shkak të mundësisë që ka Kosova me burimet e saj të linjitit dhe interesit të shprehur tashmë edhe të partnerëve privat, për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjitik. Sëbashku me linjën e interkonjeksionit që shumë shpejt do jetë në funksion, apo edhe me faktin se Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjitike ku ajo do të bashkëpunojë edhe me Serbinë. Kjo do ti japë rajonit një siguri më të madhe energjitike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit. Kjo do të kontribuojë që të ketë një siguri më të madhe energjitike për Ballkanin dhe do të kontribuojë edhe në paqen e stabilitetin sepse gjërat janë të lidhura”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik.
Palët bien dakord se shfrytëzimi i dy sistemeve komplementare të burimeve të gjenerimit në të dy vendet dhe ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese në Republikën e Kosovës, do të optimizojnë shfrytëzimin e burimeve gjeneruese dhe do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve
Të dy qeveritë bien dakord që drejtpërdrejte ose nëpërmjet Agjencive të tyre zbatuese, do të bashkëpunojnë për sigurimin e fondeve financiare për realizimin e investimeve në burime të reja gjeneruese.
Palët shprehin vullnetin që të marrin masat e arsyeshme në mënyrë që të sigurojnë fondet financiare për realizimin e objektit të këtij Memorandumi nga burimet si më poshtë: nga burime të brendshme financiare, në varësi të mundësisë dhe buxhetit të secilës palë; nga burime të jashtme financiare, ku përfshihen financimet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare apo nga iniciativa të tjera që do të identifikohen nga palët.
Iniciativat për sigurimin e financimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të realizohen në bashkëpunim me njëra tjetrën./a.m.