Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është grumbulluar në Frankfurt për ndeshjen miqësore me Ishujt Faroe, pa e ditur se kë do ta ketë kundërshtare në eliminatoret e saj të para, ato për botërorin e vitit 2018.
Por traineri Albert Bunjaki dhe të përzgjedhurit e tij shpejt do të mësojnë se për cilët kundërshtarë duhet të përgatiten për t’u përballur prej shtatorit e tutje.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka njoftuar të enjten se Grupi i Kosovës do të caktohet më 9 apo 10 qershor në Paris, shkruan “Koha Ditore”. Në Paris, më 10 qershor hapet kampionati evropian dhe me këtë rast do të caktohet edhe grupi i Kosovës.
Kosovës iu mundësua paraqitja në eliminatore, pasi më 3 maj u pranua në UEFA e më 13 maj edhe në FIFA. FIFA vendosi që Kosova të luajë në kualifikime, megjithëse shorti është hedhur më herët dhe grupet janë caktuar tashmë. Por FIFA autorizoi UEFA-n që të caktojë grupin e Kosovës. (b.an)