Raporti i Departamentit të Shtetit lidhur me rrezikun nga ekstremizmi islamik në Kosovë thotë se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht atje që nga konflikti i vitit 1999, i nxitur pjesërisht nëpërmjet financimit nga organizatat e huaja që predikojnë ideologji ekstremiste.
Rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, thuhet në raport, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in ose Frontin el-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë.
Grupet e dhunshme ekstremiste kanë përdorur në mënyrë aktive mediet sociale për të përhapur propagandë dhe rekrutuar njerëz, thuhet në raport.
Në vitin 2015, në Kosovë nuk ka pasur incidente terroriste, edhe pse policia ka arrestuar të dyshuar për planifikimin e sulmeve të tilla.
Në shtator, thotë raporti, transmeton VOA, Qeveria e Kosovës miratoi një plan gjithëpërfshirës strategjie dhe veprimi për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas raportit, aftësia e Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri është përmirësuar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por të dy vendet ende nuk e kanë zbatuar plotësisht marrëveshjen, referon Koha. (b.an)